Prej javësh qarkulloi në media fillimisht si thashethem, pastaj si informacion jo zyrtar, e më tej mes një tymnajë mohimesh e pohimesh u pranua më në fund, si me gjysmë zëri se ekziston vërtet. Një tis misteri rrethoi për disa kohë atë që mediat në Kosovë e pagëzuan si “drafti gjerman”. Pëshpërimat se një kornizë e re dialogu ishte hartuar nga të derguarit rishtaz për rajonin nga Parisi e Berlini, nisën të shfaqen në shtator. U tha se plani parashikonte pranimin nga ana e Beogradit, pa e njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, e në këmbim parashikoheshin disa përfitime financiare dhe perspektiva e një anëtarësimi të shpejtë në BE.