Ballkani Perëndimor u kthye në boshtin e diskutimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan. Një debat i zjarrtë, që u mbizotërua nga thirrjet drejtuar presidentit Donald Trump të rikthejë me forcë sytë nga rajoni. Nevoja për një shtim të ndjeshëm të angazhimit të Washingtonit në Ballkan u argumentua me vlerësimin se Rusia, përmes Serbisë, mbetet faktori kyc për destabilizim. Për kryetarin republikan të nënkomitetit për Europën, Keith Self, nuk ka dyshime: Përveç Ukrainës që është ndërkohë nën pushtimin e Rusisë, Ballkani Perëndimor mbetet “rajoni më i paqëndrueshëm në Europë”.