Agresioni rus në Ukrainë e shkundi kontinentin e vjetër në më shumë se një drejtim. Ai bëri dhe një herë të prekshëm tmerrin e konfliktit, pasojat mbi civilët, vrasjet e torturat që Europa mendonte se i kishte lënë pas si një pjesë të historisë që gjithmonë duhej kujtuar, pikërisht me qëllimin që të mos përsëritej më. Por lufta e Ukrainës, pati edhe një pasojë tjetër të papritur: Rizgjimin e fuqisë ushtarake të Gjermanisë.