Tymi rri pezull në qiejt e Europës; pjesa më e madhe e tij vjen nga pluhuri i bombardimeve në qytetet ukrainase, të rrënuara prej artilerisë ruse. Një pjesë tjetër ndërkohë, buron prej thashethemnajës mbi shëndetin e presidentit rus, që prej javësh ushqehet me pretendime të reja. Nëse për këtë gjë ka tym, a duhet të ketë domosdoshmërisht dhe zjarr? Çfarë përfitohet duke spekuluar për shëndetin e diktatorit? Dhe cfarë mund të thotë mirëqenia e tij për vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe zhvillimin e mëvonshëm të luftës?