Të bashkojnë pjesët e pazëllit të shpërthimit të pandemisë në vend, të paktën aq sa të munden: ky është misioni ambicioz i një ekipi të spitalit të Niguardas në Milano të drejtuar nga Carlo Federico Perno dhe poliklinikës San Matteo di Pavia me në krye Fausto Baldanti. Dhe të shohin se c`ndodhi më pas, duke nisur nga data që do të mbetet e rrënjosur në historinë e Italisë moderne: 20 shkurt 2020, ora 20.00 kur në spitalin e Codognon diagnostikohet rasti i parë në vend me Covid 19. Ekspertët që po përpiqen të zbardhin misterin e goditjes aq rëndë të Lombardisë nga sëmundja, mendojnë se në rajon mbërriten fillimisht dy shtame të virusit: Shtami A dhe Shtami B, të cilët më pas, gjeneruan dy të tjerë. Edhe hulumtues të tjerë përpara tyre kanë dyshuar se në Europë e Amerikë, qarkulloi një virus i tjetërsuar tashmë.