Lindja e Mesme, zien sërish. Edhe pse u duk se pas sulmit brutal të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, skenari frikësues i shtrirjes së konflikt në rajon duke përfshirë në një efekt domino edhe vende të tjera atje u shmang, fantazmat e tij po faniten sërish. Vrasja e numrit dy të Hamasit, Saleh Al-Aruri, ishte shkëndija që rrezikon të ndezë fitilin e fucisë së barutit. Shefi i Hezbollahut, Sajed Hasan Nasrallahu paralajmëroi Izraelin në rast të një përshkallëzimi të konfliktit me vendin fqinj pas vdekjes së përfaqësuesit të lartë të Hamasit në Liban.