Kjo e hënë shënoi një tjetër moment përplasje mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri. Për 5 orë në Këshillin për Mandatet u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv. kryeministres Belinda Balluku. Ashtu siç dhe pritej seancës plenare do ti shkojnë dy qëndrime. Për socialistët është i mjaftueshëm pezullimi ndërsa për demokratët maxhoranca po pengon drejtësinë. SPAK u përfaqësua në këtë mbledhje nga tre prokurorë, drejtuesi i institucionit Klodian Braho si dhe dy prokurorët që po hetojnë zv.kryeministren, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Ndërsa zv.kryeministrja Balluku u përfaqësua nga motra e saj avokate Pamela Qirko dhe Ardian Kalija. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura SPAK ka konfirmuar se gjendja procedurale e Ballukut është rënduar, ndërsa ka rrezik të prishë prova e të kryejë krime të tjera. Por gjithashtu për SPAK janë intimiduar dy dëshmitarë në nëntor të vitit të kaluar duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Heqja e imunitetit do t’i hapte rrugë procedurave penale të plota ndaj zv.kryeministres, një vendim me peshë të jashtëzakonshme politike dhe institucionale. Fjala e fundit i takon seancës plenare në fillim të marsit. Çfarë standardi do të vendosë ky rast për raste të ngjashme në të ardhmen?