Kina njoftoi se do të ulë gjysmën e tarifave, për më shumë se 1.700 produkte të importuara nga Shtetet e Bashkuara, duke shtuar kështu shpresat se lufta e kushtueshme tregtare mes dy vendeve po shkon drejt fundit. Ministria kineze e Financave sqaroi se ulja e tarifave mbi mallra që mbërrijnë vlerën e 75 miliardë dollarëve, do të hyjë në fuqi në 14 shkurt. Vendimi i autoriteteve kineze vjen tre javë pasi Uashingtoni dhe Pekini ranë dakord për të ashtuquajturën marrëveshje tregtare “Faza 1”, e cila përfshinte zotimin e Kinës për të rritur blerjet e mallrave dhe shërbimeve amerikane në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, gjatë dy vjetësh.