Tashmë Koronavirusi është përhapur edhe në politikë. Ka qenë kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj i cili nëpërmjet një postimi në rrjete sociale njoftoi se është prekur nga Covid-19 pasi testi i ka rezultuar pozitiv. Për ketë arsye ai është izoluar në shtëpi me familjen e tij, në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa do të vijojë të ndjek punët e bashkisë në distancë. Top Channel ka mësuar se kontaktet më të afërta të kryebashkiakut janë izoluar gjithashtu, pavarësisht se nuk kanë shfaqur shenja të sëmundjes , ndërsa pjesa tjetër e punonjësve vijojnë normalisht punën nën masa mbrojtëse. Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes ambjentet e Bashkisë së Tiranës u dezinfektuan mëngjesin e kësaj të marte si dhe u realizua hetimi epidemiologjik. Ekipi i Institutit të Shëndetit publik u paraqit pranë institucionit publik për kryerjen e tamponëve ndaj punonjësve të dyshuar.