Sulmet në Iran dhe nga Irani kanë hyrë në ditën e pestë, teksa mëngjesi nisi me lajmet nga SHBA që ka kërkuar të mbyllë ambasadat në tre vende dhe të zvogëlojë stafin diplomatik në Lindjen e Mesme. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se kanë hapur korridore ajrore të sigurta me fqinjët e tyre, ndërsa vendet e tjera nxitojnë të evakuojnë shtetasit e bllokuar. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, thotë se një nëndetëse amerikane fundosi një anije luftarake iraniane në Oqeanin Indian me një silur, teksa Pentagoni ka publikuar pamjet e sulmit. Më shumë se 1,000 njerëz janë vrarë në Iran që nga fillimi i luftës, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me bazë në SHBA. Sulme të reja janë raportuar në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, ndërsa Turqia thotë se "mbrojtja e NATO-s" rrëzoi një raketë iraniane. Teksa sulmet vijojnë, në Teheran do të mbahej ceremonia e varrimit e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, por që më pas autoritetet iraniane lajmëruar anulimin e tyre për shkak të përgatitjes së infrastrukturës. Megjithatë, tre ditë zie kombëtare, përfshirë tubimet në sheshet e Teheranit, do të vazhdojnë. Sakaq, asambleja e Ekspertëve të Iranit ka zgjedhur djalin e Ali Khameneit, Mojtaba, si Udhëheqësin e ri Suprem, pas rekomandimit të Gardës Revolucionare. Por kush është Mojtaba? Djali i Khameneit ka një perandori globale pronash nga zemra e Londrës në Majorka dhe Austri. Fuqia e tij financiare ka përfshirë gjithçka, nga transporti detar në Gjirin Persik deri te llogaritë bankare zvicerane dhe pronat luksoze britanike me vlerë mbi 138 milionë dollarë, thonë burimet që kërkuan anonimitetin nga frika e hakmarrjes ose sepse nuk janë të autorizuar të flasin publikisht. Lidhjet e tij të ngushta me Gardën Revolucionare (IRGC) i japin ndikim shtesë në të gjithë aparatin politik dhe të sigurisë të Iranit dhe ai ka ndërtuar ndikim prapa skenave si "rojtar" i babait të tij. Nëse zyrtarizohet Mojtaba a do të vijojë të njëjtën linjë regjimi Irani, dhe a do të zgjaste kjo luftën që nisi pesë ditë më parë nga Izraeli dhe SHBA?