Problemet psikologjike, apo sëmundja e shekullit siç njihen së fundmi, janë një realitet i pamohueshëm dhe për shoqërinë shqiptare. Të pasurit, apo vizituarit një psikolog nuk është më tabu, por shihet si një domosdoshmëri në raste të nevojshme. Komuniteti i psikologëve ka pasur ulje-ngritje të forta dhe përçarje të mëdha gjatë vitit të kaluar. Urdhri i Psikologut, pas një lufte të fortë ndërmjet ish-kryetares Valbona Treska dhe disa psikologëve, ditën e nesërme do të ketë një drejtues të ri. Në garë për drejtimin e këtij institucioni janë dy emra të njohur të psikologjisë: Brunilda Laboviti dhe Elona Mustafaraj. Të dy psikologet kanë bërë një fushatë të fortë, duke shfrytëzuar dhe përçarjet e mëdha që ekzistojnë brenda komunitetit. Kritikat më të forta kanë qenë për mënyrën e drejtimit, transparencën dhe rolin e urdhrit në jetën profesionale të psikologëve. Përplasjet kanë qenë të pranishme dhe në takimet zyrtare, madje dhe në rrjetet sociale. Të dy kandidatet kanë prezantuar platformat e tyre drejtuese, duke tentuar të bindin sa më shumë psikologë. Urdhri ndodhet në një moment kyç, pasi pikëpyetja më e madhe, përtej emrit të fituesit, është një dhe e vetme: A do të mundet kryetari i ri që të unifikojë anëtarët dhe të pranohet në masë të gjerë duke i dhënë fund përplasjeve të vitit të fundit?