Artisti shqiptar Ardian Isufi, ka përgatitur një ekspozitë vetjake në mjediset e Teatrit Kursaal, në Bari të Italisë. Ekspozita është kuruar nga Gaetano Centrone ndërsa projekti drejtohet nga Elton Koritari. E titulluar “Ëndërr metalurgjike”, ekspozita vjen si një kurorëzim i punës së realizuar në ekspozitat e fundit “Fraktura” (ndërhyrje specifike në burgun e Spaçit, Shqipëri 2023) dhe “Konspiracioni i Tiranës” (Galeria Kombëtare e Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2022). Kjo ekspozitë synon të rikthejë në mënyrë gjithëpërfshirëse kërkimin e artistit, figurën e tij dhe veprën e gjerë, dhe në të njëjtën kohë të nënvizojë pozicionin e urës me Lindjen që Pulia mban historikisht në Mesdhe.