Taulant Shyti, nga qyteti i Laçit, u ankua në redaksinë e emisionit "Fiks Fare" se Gjykata e Apelit në Korçë nuk i ka kthyer shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra, shumë të cilën e kishte paguar për të liruar vëllanë nga burgu. I riu thotë se, në vitin 2020, vëllai i tij u arrestua në qytetin e Korçës, i akuzuar për trafik klandestinësh sirianë. 20 ditë pas arrestimit, Taulanti ka paguar shumën prej 2 milionë lekësh si garanci pasurore. I vëllai u lirua dhe u hetua dhe gjykua me masën e sigurisë detyrim paraqitje. Në muajin shkurt 2022, Gjykata e Apelit në Korçë, e dënoi me kusht, ndërkohë që paratë e garancisë nuk ia ktheu Taulantit. "Ato para i kam marrë kredi në bankë. Vendimi u dha dhe unë po paguaj kredinë, lekët i kanë ata të gjykatës" thotë Taulanti.