Ishte një pasdite qershori me diell në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, kur çifti britanik Vera Baume dhe Sylvester Obeng që kishte ardhur për pushime në Shqipëri, nuk priste që adrenalina e një xhiroje me jetski të përfundonte tragjikisht. Njëri prej tyre humbi jetën, tjetri ndodhet ende në gjendje kritike. Aksidenti është i fundit në një varg incidentesh që po kthejnë mjetet lundruese në makthin e bregdetit shqiptar. Sipas të dhënave të policisë kufitare dhe raportimeve në media, gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar të paktën 6 aksidente të rënda me mjete lundruese, kryesisht jetski, përgjatë bregdetit nga Velipoja në Ksamil. Rasti më i rëndë është ai i humbjes tragjike të jetës së 5-vjeçares Jonada Avdia tri vite më parë. Ngjarja solli reagim të fortë të shoqërisë, çka solli dhe ndryshim të menjëhershëm të rregullores. Por sa vlerë patën këto ndryshime në letër? Vetëm një vit më pas një tjetër ngjarje e rëndë u shënua, ku një adoleshent 16-vjeçar në Llaman humbi jetën gjatë përplasjes me një tjetër jetski, ndërsa një tjetër i së njëjtës moshë në Himarë u plagos rëndë dhe u transportua me helikopter drejt Tiranës. Në të gjitha rastet, faktorët përsëriten: mjetet drejtohen nga të mitur, pa leje drejtimi, pa pajisje sigurie, ose në afërsi të zonave të notit. Jo rrallëherë kanë qarkulluar edhe pamje të rrezikshmërisë së manovrave në ujë, e ndonjëherë shumë afër plazhistëve. Në vitin 2020, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të posaçëm që detyron operatorët turistikë të sigurojnë: leje për drejtuesin e mjetit, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse (jeleku i shpëtimit, kokorja, dorezat, etj), respektimin e distancës minimale prej 300 metrash nga zona e notit. Sipas ligjit aksidentet e tilla mund të klasifikohen si vrasje nga pakujdesia apo shkelje të rregullave të sigurisë në punë – por procedurat penale rrallë çojnë në ndëshkime serioze. Kush e ka për detyrë të ndalojë tragjeditë që përsëriten? A është vera 2025 një tjetër sezon i pakontrolluar në det?