Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është shpallur fajtor nga një gjykatë e qytetit të Nju Jorkut për të 34 akuza që kanë të bëjnë me falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij para zgjedhjeve presidencial të vitit 2016, me qëllim që të fshehë pagesat e bëra për një aktore të pornografisë. Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë arritën vendimin më 30 maj, pesë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që Trump të përballet me presidentin aktual demokrat, Joe Biden. Trump ishte akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit për 34 akuza penale për krime shtetërore, duke përfshirë falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqeve për të fshehur një pagesë prej 130.000 dollarësh për Stormy Daniels, me qëllim që të blejë heshtjen e saj lidhur me marrëdhënien e tyre të supozuar seksuale më 2006. Gazetar: Gerald Qerimi