Pas shkarkimit të papritur të Elisa Spiropalit si ministre e Jashtme, tensionet brenda selisë rozë dolën në sipërfaqe gjatë votimit për autorizimin e kërkuar nga SPAK për Belinda Ballukun. Ish ministrja nuk ishte e pranishme në atë votim. Po nëse mungesa e figurave të tjera të PS si Fatmir Xhafa apo Blendi Gonxhja nuk bën zhurmë, ajo e Spiropalit konfirmon atë çfarë flitej në korridoret e socialistëve. Në mbledhjen e Asamblesë së PS, Elisa u shkarkua dhe si drejtuese politike e Tiranës, vendin e të cilës e zuri Taulant Balla. Ky i fundit të martën foli për një vendim nga grupi parlamentar socialist për Spiropalin. Kjo nuk u prit mirë nga deputetja socialiste, e cila sfidoi Ballën me mbledhjen e grupit. Elisa Spiropali është një ndër figurat kyçe të Partisë Socialiste. A ishte mungesa e saj në votimin për Ballukun një betejë e heshtur mes dy grave të politikës? Cili do të jetë fati i Spiropalit brenda PS-së?