Përplasjet disamujorshe ndërmjet partive politike në Kosovë dhe fjalori polarizues përfunduan me fitoren bindëse të lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kryeministri në detyrë Albin Kurti pati një fitore të thellë me 49.30 për qind të votave, sipas rezulteteve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. E përkthyer në mandate, LVV merr 56 deputetë, 23 i merr PDK, 15 i merr LDK dhe AAK merr 6 deputetë. Me këtë trend LVV po shkon në drejtim të përsëritjes apo tejkalimit të rezultatit të 2021, kur kishte fituar 50.28 për qind të votave. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, janë rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituimin Kuvendin deri më 10 tetor. Kurti më pas nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Qeverinë nuk arriti ta formojë as i mandatuari i dytë, Glauk Konjufca, po ashtu nga LVV-ja, gjë që detyroi presidenten Osmani të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.