Në bypass-in e Fierit po punohet me intensitet të lartë për përfundimin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore. Kompania kontraktuese ka marrë të gjitha masat e sigurisë lidhur me parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, duke pajisur të gjithë punonjësit me maska dhe doreza si dhe duke respektuar distancën e përcaktuar mes punonjësve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektoi punimet në bypass-in e Fierit për të parë nga afër masat e marra, si dhe për tu njohur me ecurinë e punimeve.