Rreth 40 familje në fshatin Pjetroshan të Malësi e Madhe kanë jetuar për 9 muaj pa ujë të pijshëm në banesat e tyre. Edhe pse të pajisur me sahatë dhe me kontrata të rregullta me ujësjellësin, banorët tregojnë se prej muajsh në rubinetat e shtëpive të tyre nuk ka ardhur asnjë pikë ujë. Për të siguruar ujë, familjet detyroheshin të shkonin në fshatra të tjera dhe të mbushnin bidona, ndërsa në disa raste edhe ta blinin atë. Situata bëhej edhe më e vështirë gjatë verës, kur temperaturat arrijnë deri në 40°C. Pas ankesave të banorëve, emisioni Fiks Fare kontaktoi institucionet përgjegjëse dhe ngriti shqetësimin. Pas interesimit të redaksisë dhe reagimit të institucioneve, furnizimi me ujë u rikthye dhe tashmë banorët thonë se uji vjen rregullisht dhe është i pijshëm.