Pablo Escobar dhe karteli i tij Medellin, transformuan tregtinë e kokainës gjatë ditëve të arta të tyre në vitet 1980. Por, 30 vite pas vrasjes së mbretit të drogës, biznesi mbetet një nga ekonomitë kriminale më dinamike të botës. Escobar u vra nga një njësi e posacme policie, e krijuar enkas për gjurmimin e tij, në 2 dhjetor 1993. Vdekja e tij, shënoi fillimin e një ere të re në tregtinë globale të drogës. Gjatë tre dekadave në vijim, organizatat e trafikut të drogës, të udhëhequra nga capo të fuqishëm dhe të profilit të lartë, janë zhdukur për ti hapur udhë rrjeteve të shpërndara, të lidhura nga ndërmjetës të padukshëm që synojnë të evitojnë publicitetin.