Një situatë e jashtëzakonshme ndodh që prej 3 vitesh dhe përsëritet çdo fundjavë në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Trotuarët janë kthyer në një treg të hapur të sendeve të përdorura, duke bllokuar hapësirat e këmbësorëve dhe duke detyruar qytetarët, mes tyre fëmijë dhe të moshuar, të ecin në mes të trafikut. Shitësit ambulantë tregojnë se janë të detyruar të shesin për të siguruar kafshatën e bukës dhe kërkojnë nga institucionet një treg të dedikuar. Nga ana tjetër, banorët shprehen se ndihen të rrezikuar çdo ditë, ndërsa institucionet deklarojnë se ka vende të lira në tregun e Shkozës, por një pjesë e tregtarëve refuzojnë të zhvendosen.