Fshati Niçë, pjesë e Njësisë Administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit, po përballet prej vitesh me izolim të plotë për shkak të rrugës së dëmtuar dhe urës së shembur në dalje të fshatit. Edhe pse ndodhet vetëm 30 kilometra nga qyteti i Pogradecit, udhëtimi drejt Niçës zgjat deri në 3 orë e gjysmë, ndërsa nga Tirana rreth 6 orë gjatë dimrit. Reshjet e shumta kanë përkeqësuar situatën, duke e bërë rrugën të pakalueshme dhe duke izoluar dhjetëra banorë. Banorët, të cilët jetojnë kryesisht nga blegtoria, tregojnë se shpesh mbeten pa ushqime, pa ilaçe dhe pa shërbim mjekësor, ndërsa transporti kushton deri në 100 mijë lekë të vjetra për një udhëtim.