UEFA miraton përfundimisht formatin e Ligës së Kombeve
19/09/2017
UEFA miraton përfundimisht formatin e Ligës së Kombeve
UEFA i ka dhënë përfundimisht “dritën jeshile” kompeticionit më të ri të saj, Liga e Kombeve, shorti i të cilit do të hidhet më 24 janar të vitit 2018.

Kompeticioni, që ishte aprovuar në Kongresin e këtij institucioni, u studiua edhe nga të gjitha federatat që aderojnë në UEFA.

Liga e Kombeve do të nisë sezonin e ardhshëm dhe do të jetë për Europianin e vitit 2020, që do të luhet në 13 shtete. 55 skuadrat përfaqësuese të UEFA-s do të ndahen në 4 divizione, në bazë të koefiçentit të tyre, të cilët do të jenë të kësaj forme:

Divisioni A dhe B do të përbëhen nga 12 skuadra secila, të ndara në 4 grupe me nga 3 ekipe. Divizioni C do të ketë 15 përfaqësuese, të ndara në 4 grupe: 3 me 4 skuadra dhe një me 3 skuadra. Ndërsa divizioni D do të ketë 16 ekipe, të ndara në 4 grupe me nga 4 ekipe.

Nga faza e parë do të dalin 4 skuadrat fituese të Divizionit A, që në qershor të vitit 2019 do të luajnë fazën e “play off”-it të parë, për të përcaktuar fituesen e Ligës së Kombeve, që do të përfitojë edhe një shpërblim financiar.

Faza e parë e Ligës së Kombeve do të luhet në periudhën shtator-nëntor të vitit 2018. Në muajin mars të 2019-s do të nisë edhe faza kualifikuese për Europianin, që do të jetë i formatit të zakonshëm: 5 grupe do të jenë me nga 5 ekipe, ndërsa 5 grupe të tjerë me nga 6 skuadra, nga ku do të kualifikohen 2 të parat e çdo grupi.

Këtyre skuadrave do t’u bashkohen 4 skuadrat që do të luajnë një fazë tjetër “play off”-i në Ligën e Kombeve. Në këtë rast do të përballen 4 ekipet më të mira të çdo divizioni, që do të ndahen në 4 grupe. Nëse ndonjëra prej tyre është kualifikuar më parë në “Euro 2020”, atëherë stafeta i kalon skuadrës së vendit të dytë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.