Inside Story/ Beteja e pensionistit, prej 8 vitesh endet dyerve të gjykatave për njohjen e viteve të punës

08/05/2024 21:51

Ky është Pashk Nokaj, 72 vjeç nga Kurbini. Ai ka 8 vite që ka dalë në pension, por ka po kaq vite që kërkon 10 vitet e punës në komunizëm të cilat i kanë humbur. Për këtë ka nisur edhe procese gjyqësore.

‘Unë kam punaur në ndërmarrjen e montimeve të Tiranës e cila kishte për detyre të montonte në të gjithë Shqipërinë. Kam 8 vjet që kam dalë në pension edhe marr 26 vjet, 10 vjet e disa muaj me kanë humbur, janë djegur borderotë më thotë, edhe zyrat, po unë kam pasur për ti ruajtur këto apo shteti?’, u shpreh Pashk Nokaj, qytetar.

‘Jam gjykuar në Shkodër meqenëse drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore ishte në Lezhë tani jam në gjykatën e apelit administrativ të Tiranës, te rruga e Elbasanit’, u shpreh Pashk Nokaj, qytetar.

Edhe në këtë rast situata është e përsëritur, pasi procesi gjyqësor është zvarritur për 6 vite me radhë. Kjo e ka irrituar më tepër 72-vjeçarin i cili vijon të insistojë për shqyrtimin e kësaj çështje. Në fakt, problem i këtij pensionisti është halli i madh i qindra, ndoshta mijëra pensionistëve që enden dyerve të drejtësisë. Një situatë që u mohon bukën e gojës.

‘5-6 vjet që dosja fle aty, ajo që të pezmaton është se sapo çështja vjen për tu gjykuar ndërrohen gjyqtarëtr… 4 raste ndërrimi. Ata me siguri presin që unë të vdes dhe të mos cënohet buxheti i shtetit’, u shpreh Pashk Nokaj, qytetar.

Top Channel