Rikthehet pazari tradicional i Libohovës
16/07/2017
Të paktën 30 biznese dhe njësi të vogla shitjeje u prezantuan në të parin Pazar tradicional në Libohovë pas një mungese më shumë se 80-vjeçare.

Mentor Muka, një prej koleksionistëve të relikeve ka sjelle aty objekte dhe sende nga e kaluara e periudhës së socializmit që gjendeshin kudo të braktisura.

“Ka shumë objekte, por akoma njerëzit kërkojnë më të vjetrën dhe u duket e re. kanë nostalgji”, thotë Muka.

Në panair prezantohen edhe produket e artizanëve të Libohovës. Pranvera Hide thotë se motivet e vjetra të familjeve të Libohovës në punimet e dorës janë risjellë me shpresën si një mundësi punësimi në të ardhmen. 

“Unë kam filluar të punoj qëkur isha 12 vjeç, atëherë kam filluar të qëndis. Rikthimi i punëve me qëndisje është pasion”, thotë një banorë e zonës.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vleresoi panairin si motivim që banorët të bëhen pjesë e tregut turistik.

“Fakti që këtu ka edhe shumë turistë tregon që këtu krijohen pole të reja atraksioni për turizmin e Gjirokastrës që të mos jetë një turizëm kalimtar, por të jetë një turizëm interaktiv”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ndërsa Zana Sina, njëra prej organizatoreve të Pazarit tha se në Libohovë gjetën elementë të rrallë dhe befasues të traditës që tashmë janë pjesë e këtij panari.

“Është një ide që e kam marrë nga Italia, ku atje zhvillohen nisma të tilla në fshatra dhe qyteza të vogla, ku gjithë fshatarët hapin një pazar që çdo javë zhvendoset nëpër fshatra”, thotë Zana Sina, organizatore e eventit.

Pazari i Libohovës do të qëndrojë i hapur për disa ditë dhe është eventi më i rëndësishëm kulturor dhe turistik i qytezës historike dhe ka ngjallur interesin e shumë personave.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.