Pakti social, Rama: Trefishuam ndihmën ekonomike

20/03/2017

Pakti për mirëqenien sociale do të ketë si qëllim t’u shkojë njerëzve në nevojë më afër, pasi shpërndarja e shërbimeve tregon se një pjesë e mirë e qytetarëve në nevojë kanë vështirësi për të prekur realisht ndihmën e shtetit.

Ministri në ikje Blendi Klosi shpjegon se, pakti do të jetë i strukturuar në 5 pika.

“Mbulimi i shërbimit në të gjithë territorin, ngritja e shërbimeve të detyrueshme në çdo bashki, ofrimi i shërbimeve pranë qytetarit, përgjegjësitë e qarta të pushtetit vendor, por gjithashtu edhe ngritja e fondit social apo kalimi i kompetencave te pushteti lokal”, tha Klosi.

Në takim ishte edhe Olta Xhaçka, e sapodekretuar ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Si ish-ministër i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj tha se sot shteti shqiptar po bën rolin që duhet për njerëzit në nevojë.

“Unë i di refrenet ‘rrugë-rrugë-rrugë’ dhe ‘infrastrukturë’, e këtë e kam mbi kurriz tani që jam kryetar bashkie. Ndihem mirë për një gjë, kjo është qeveria që ka lënë më shumë mënjanë për t’i dhënë dorën një shqiptari, që përkohësisht ka nevojë për asistencë, nidhmë ekonomike apo terapi”, tha Veliaj.

Për Edi Ramën, edhe pse nuk janë aq sa duhet, reformat e nisura nga Ministria e Mirëqenies Sociale janë në rrugën e duhur, ku duhet të vazhdohet edhe në të ardhmen.

“Ka edhe shumë për të humbur, nëse nuk vazhdojmë me vendosmëri të çojmë përpara reformat dhe të bëjmë shtet. Mjafton të shkosh te çadra dhe t’u thuash atyre ‘hajdeni dhe drejtoni shtetin dhe çoni përpara reformat’, por nuk dinë ta bëjnë. Nuk vjen vjeshta pa i parë policët duke ngrënë fara dhe nuk vjen vjeshta pa u kthyer Zyrat e Punës në qebaptore dhe floktore”, tha Rama.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.