Përfundon raundi i dytë i bisedimeve Ukrainë-Rusi/ Zelensky i kërkon avionë luftarakë NATO-s, fton Putinin për bisedime

03/03/2022 22:30

Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të dytë ndërsa forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin, pasi Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak” duke bërë që të nisin shpërthimet e para. Sapo u dëgjuan, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shpalli gjendje lufte në vend. E enjtja shënon një javë që nga fillimi i pushtimit rus.

22:26 Rusia nuk pajtohet me përjashtimin, çon UEFA-n e FIFA-n në CAS

Rusia beson se përjashtimi i përfaqësueses së saj dhe klubeve nga UEFA e FIFA është diçka e paligjshme. Diçka e tillë i ka shtyrë autoritet e federatës ruse që të shkojnë në CAS ku pretendojnë se vendimi i marrë nga organet më të larta futbollistike në Evropë dhe botë nuk nuk janë në përputhje me rregulloren.

22:19 Beteja për Kievin/ Zheji në “Open”: Putini po mundohet të përjetësojë pushtimin e Ukrainës.

Lufta në Ukraina ka hyrë tashmë në javën e dytë, ndërkohë që dy raundet e bisedimeve mes delegacioneve ruse dhe ukrainase nuk kanë sjellë rezultat të dukshëm.

Gjatë bisedës në studion e “Open”, analisti Artur Zheji shprehet se të gjitha gjasat tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin po hedh hapa për përjetësimin e pushtimit të Ukrainës.

22:02 Biden s’ka ndërmend të flasë me Putin/ Shtëpia e Bardhë: Sanksione të reja për Rusinë

Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë, tha Shtëpia e Bardhë të enjten, duke i cilësuar ata si “miqtë e Putinit” në përpjekjen e fundit për të bërë presion ndaj Kremlinit që të ndalojë pushtimin e tij në Ukrainë.

22:00 Ukrainasja rrëfen mes lotësh në “Open”: Kolegia ime u vra, si po na mëson policia të prodhojmë molotov

Oksana Ilysevych është një shtetase ukrainase që foli sonte për emisionin “Open” dhe rrëfeu përjetimet e saj që nga përpjekjet për t’i shpëtuar luftës e deri tek paniku që ka përfshirë kombin.

21:55 SHBA njofton sanksione të reja kundër oligarkëve rusë

Uashingtoni njoftoi sot se në koordinim me aleatët dhe vendet partnerë, ka vendosur sanksione të reja që kanë si objektiv elitën ruse, e cila vazhdon të mbështesë Presidentin Putin, pavarësisht sulmit brutal të tij ndaj Ukrainës.

19:48 Një javë luftë/ Rusia hyri si superfuqi, përfundoi si Koreja e Veriut

7 ditë nga urdhri i Vladimir Putinit për të sulmuar Ukrainën, bilanci si në terren, ashtu dhe në rrafsh moral, është shumë larg asaj që kishte shpresuar presidenti rus.

19:41 Abuzimi me vuajtjet! Përvetësuan para dhe në Shqipëri, si nisma humanitare për Ukrainën

Ledjon Karaj, 19-vjeçari shqiptar, është një prej mijëra të rinjve në të gjithë botën që ka rënë pre e fushatës së rremë në rrjete sociale “Le të ndihmojmë Ukrainën” nga organizata ‘plantatare’ e cila ka “vjedhur” më shumë se 845 mijë dollarë nga njerëzit e ndjeshëm për ukrainasit në gjendje lufte.

19:17 Emocionon qytetarja nga Kievi: Jam gati t’i bashkohem ushtrisë, Putin ta harrojë t’i dorëzohemi!

Olana Zuralhkova u bë pjesë e “Ftesë në 5” me Bieta Sulon përmes një lidhje “Skype” nga qyteti i Kievit në Ukrainë. Ajo tregoi se gjendja atje është më e qetë krahasuar me qytete të tjerë të vegjël, ku po zhvillohen beteja të rënda, ndërkohë që i konsideroi të çmendura kërkesat e Putinit dhe ritheksoi se populli ukrainas nuk do të dorëzohet kurrë.

19:03 Përfundon raundi i dytë i bisedimeve Ukrainë-Rusi: Tre çështjet që u diskutuan, për çfarë u dakordësuan palët

Delegacionet ruse dhe ukrainase zhvilluan këtë të enjte raundin e dytë të bisedimeve. Mediet ruse raportojnë se takimi ka përfunduar para disa minutash. Sipas kreut të delegacionit rus Vladimir Medinsky, në këtë takim u diskutua për tre çështje që lidhen me situatën në Ukrainë. “Ne diskutuam në detaje për tre çështje: çështjen ushtarake, çështjen ndërkombëtare humanitare, çështja e tretë është zgjidhja politike e konfliktit në të ardhmen”, tha ai.

Mikhail Podolyak, një anëtar i delegacionit ukrainas tha se po diskutohet edhe për mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm “për periudhën kur do të kryhet evakuimi”, ndërkohë që pritet të ketë një raund të tretë bisedimesh.

18:40 Putin: Operacioni ynë në Ukrainë po shkon sipas planit

Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh këtë të enjte, teksa Ukraina ka hyrë në javën e dytë të luftës që i ka shpallur Rusia, se operacioni i tij ushtarak po shkon sipas planit.

17:57 Premier League gati të ndërpresë marrëveshjet për të drejtat televizive në Rusi

Shefi ekzekutiv i Premier League, Richard Masters konfirmoi se marrëveshjet televizive me kompanitë ruse janë në shqyrtim. Duke folur në Samitin e “FT Business of Sport” të organizuar nga “Financial Times”, Masters shpjegoi se këto marrëveshje janë “qartësisht nën shqyrtim”. Të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve të Premier League në Rusi i ka “Rambler Media”.

17:40 Kërkesa e Zelenskyt për NATO-n: Na dërgoni avionë/ Kërkesa për Putinin: Hajde bisedojmë!

Presidenti i Ukrainës Zelensky, përmes një konferencë për shtyp, i bëri thirrje këtë të enjte Perëndimit që t’i dërgojë avionë luftarakë, për të mbrojtur vendin nga pushtuesi rus dhe ftoi presidentin rus për t’u ulur së bashku dhe për të biseduar.

16:32 Putin i drejtohet Macronit: Do e vazhdoj luftën në Ukrainë!

Presidenti rus Vladimir Putin, i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron gjatë një telefonate 90-minutëshe, se ai do të vazhdojë operacionet ushtarake në Ukrainë. “Kjo bisedë, për fat të keq ka treguar se Presidenti Putin do të vazhdojë ndërhyrjet ushtarake deri në fund”, u tha gazetarëve në një konferencë këtë të enjte rezicenda e presidentit Macron.

16:08 Nisin bisedimet mes delegacioneve ruse dhe ukrainase

Sapo kanë nisur bisedimet për paqe midis delegacioneve ruse dhe ukrainase. Vendi ku po zhvillohet takimi është ende i pazbuluar, por dihet vetëm që është në kufi të Ukrainës. CNN shkruan se anëtarët e dy delegacioneve i dhanë dorën njëri-tjetrit, para se të uleshin për të filluar bisedimet. Mësohet se çështjet kryesore në agjendë janë armëpushimi i menjëhershëm dhe krijimi i korridoreve humanitare, me qëllim evakuimin e civilëve nga fshatrat dhe qytetet e shkatërruara. Ky është raundi i dytë i bisedimeve, pasi takimi i parë nuk dha asnjë rezultat.

15:41 Macron kritikon Putinin: Po bën gabim të madh, po gënjen veten!

Presidenti francez Emmanuel Macron i është drejtuar homologut të tij rus, Vladimir Putinit, duke i thënë se po bënte një gabim të madh me Ukrainën. Një zyrtar francez tha për Reuters se Macron ka thënë se Putin po genjen veten se mund të pushtojë Ukrainën. “Ti po gënjen veten”, i tha Macron Putinit gjatë telefonatës, tha zyrtari.“Do t’i kushtojë shtrenjtë vendit tuaj, vendi juaj do të përfundojë i izoluar, i dobësuar dhe nën sanksione për një kohë shumë të gjatë“, ka shtuar Macron.

15:22 Mbërrin në Bjellorusi delegacioni ukrainas

Delegacioni ukrainas ka mbërritur në vendin e takimit për bisedime me palën ruse në Bjellorusi. Lajmi është bërë me dije nga agjencia e lajmeve TASS. Ministria e Jashtme e Bjellorusisë, postoi një foto të një dhome konferencash, duke deklaruar se ajo ishte krijuar për të pritur raundin e dytë të bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës.

14:58 Inteligjenca amerikane: Rusia është gati të zbarkojë në Odesa

Sipas inteligjencës amerikane, Rusia është gati të zbarkojë në Odessa Forcat ruse do të niseshin drejt Odessa-s dhe do të ishin gati të zbarkonin në qytetin port ukrainas, sipas burimeve të inteligjencës amerikane të cituara nga televizioni spanjoll “RTVE”. Nga të njëjtat burime, në Krime tashmë ka disa anije që presin mbërritjen e trupave tokësore për të nisur sulmin nga deti.

14:52 “Amnesty International” dokumenton tre sulme ruse që vranë 9 civilë

“Amnesty International” ka dokumentuar tre sulme që vranë të paktën nëntë civilë, përfshirë fëmijë, në qytetin e Kharkivit më 28 shkurt. Organizata për të drejtat e njeriut i përshkroi sulmet në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, të cilat ndodhën në të njëjtën kohë kur bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë u zhvilluan në Bjellorusi, si “krime të mundshme lufte”.

14:49 Forcat ukrainase: Kherson është ende në duart tona!

Një përfaqësues i focave të armatosura të Ukrainës ka mohuar informacionet se Kherson ka rënë në duart e Rusisë. “Deri tani, luftime të rënda po zhvillohen pranë Khersonit. Qyteti nuk është nën kontrollin rus. Ata e përdorin atë si bazë të përkohshme,” tha përqafësuesi për Skynews.

14:42 Shpërthimet ruse fundosin anijen me mallra në portin ukrainas

Një anije mallrash u fundos këtë të enjte në portin ukrainas të Odesa-s, pas një shpërthimi. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i kompanisë, i cili tha për Reuters se anija ishte estoneze dhe pas fundosjes, janë zhdukur katër anëtarë të ekuipazhit. Dy të tjerë kanë shpëtuar falë gomoneve dhe tashmë ndodhen në det.

14:32 Putin- Macronit: “Çmilitarizimi” i Ukrainës do të arrihet

Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez Emmanuel Macron se qëllimet e operacionit të Rusisë në Ukrainë, sipas tij çmilitarizimi i saj dhe statusi neutral do të arrihen. Putin tha se çdo përpjekje e Kievit për të vonuar negociatat do të rezultonte në shtimin e Moskës në listën e kërkesave të saj.

14: 24 “Nëse s’do e bënim do sulmoheshim!”/ Deputeti rus: Pushtimi i Ukrainës ishte planifikuar një vit më parë

Një deputet rus tha se Moska filloi planifikimin për një pushtim të Ukrainës 12 muaj më parë. “Ne nuk e përgatitëm këtë operacion spontanisht“, tha Rifat Shaykhutdinov në televizionin Channel One.

14:17 Bisedimet Rusi-Ukrainë/ Zyrtari i lartë ukrainas: Do të fillojmë brenda dy orësh

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina pritet të mblidhen brenda dy orësh për të zhvilluar raundin e dytë të bisedimeve në Bjellorusi, për arritjen e një armëpushimi. Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina pritet të mblidhen brenda dy orësh për të zhvilluar raundin e dytë të bisedimeve në Bjellorusi, për arritjen e një armëpushimi.

13:54 Orban: Hungaria e gatshme të presë bisedimet Rusi-Ukrainë

Kryeministri hungarez Viktor Orban përsëriti se vendi i tij është i gatshëm të presë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës. Orban tha se përgjegjësia për përfundimin e luftës qëndron, por më shumë nga pala ruse.

13:25 Rusët pushtojnë  administratën shtetërore në Kherson

Trupat ruse kanë pushtuar plotësisht ndërtesën e administratës shtetërore në Kherson, sipas kreut të administratës, Hennadiy Lahuta.

13:23 Macron zhvillon bisedë telefonike me Putin dhe Zelensky

Në ditën e tetë të pushtimit rus në Ukrainë, presidenti i Francës Emmanuel Macron bisedoi me homologun rus Vladimir Putin dhe më pas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Biseda telefonike me presidentin rus zgjati rreth 1 orë e gjysmë dhe është e treta që zhvillohet mes tyre që kur Putin urdhëroi forcat ruse të hynin në Ukrainë më 24 shkurt. Ndërkohë ditën e sotme pritet të zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve mes forcave ruse dhe ukrainase në kufirin bjellorus.

12:50  Thirrja e Bashkisë Kharkiv për mediat: Na ndihmoni në luftën e informacionit, kushtojini vëmendje ngjarjeve në Ukrainë

Bashkia Kharkiv i ka bërë thirrje mediave të huaja që t’i kushtojnë rëndësi ngjarjeve në Ukrainë që të shpërndahen në të gjithë botën.

“Mëngjesin e sotëm, një sulm me raketa është kryer në sheshin më të madh në Ukrainë, i cili ndodhet në qendër të qytetit të Kharkiv. Në shesh nuk kishte pajisje ushtarake dhe aq më tepër nuk kishte objekte ushtarake në kilometrat më të afërt. Ka dhjetëra civilë të vrarë, mes tyre edhe fëmijë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Pas kësaj, kërkojnë ndihmë për të fituar luftën e informacionit në një kohë kur forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e Ukrainës.

“Një katastrofë e tmerrshme po afrohet çdo minutë, por ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar atë. Masakra e përgjakshme duhet ndalur”, thuhet në njoftim.

12:14 Pse njerëzit me ngjyrë e kanë më të vështirë të arratisen nga Ukraina

Të enjten Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët, deklaroi se një mijë persona janë larguar deri më tani nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus. Shumica e tyre janë shtetas ukrainas, por ka edhe të huaj që janë gjendur aty për arsye pune apo studimi në momentin kur ushtria ruse hyri në Ukrainë. Në mesin e tyre ka shumë shtetas nga vendet afrikane, por ata kanë një vështirësi të madhe të largohen nga vendi.

11:43 Bomba vdekjeprurëse, predha e raketa/ Sulmet në Kharkiv në Ukrainë, 34 të vrarë vetëm këtë mëngjes

Autoritetet e rajonit verilindor të Kharkiv njoftuan se mëngjesin e së enjtes janë vrarë 34 civilë dhe janë plagosur 285 të tjerë nga sulmi i forcave ruse. Autoritetet e rajonit verilindor të Kharkiv njoftuan se mëngjesin e së enjtes janë vrarë 34 civilë dhe plagosën 285 të tjerë nga sulmi i forcave ruse.

11:32 Zelensky-Putinit: Shko në shtëpinë tënde!

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka publikuar një video të re, ndërsa ministri rus Sergei Lavrov po mban një konferencë shtypi në Moskë. Presidenti i është drejtuar Vladimir Putinit: “Shko në shtëpi. Në shtëpinë tënde”, duke iu referuar ndalimit të bo bardimeve të Ukrainas, vendit të ukrainasve.

11:12 Lavrov: Qeveria ukrainase është një regjim neo-nazist

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov përsëriti se qeveria ukrainase është një regjim neo-nazist dhe thotë se bandat po plaçkitin qytetet, përfshirë edhe Mariupolin. Lavrov thotë gjithashtu se ukrainasit “tani po përpiqen të përdorin civilët si mburoja”.

10:45 Zelensky: Ukraina po reziston!

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka publikuar një video të re, ndërsa ministri rus Sergei Lavrov po mban një konferencë shtypi në Moskë, Ai pretendon se linjat e mbrojtjes së Ukrainës po rezistojnë, duke theksuar se bombardimet nga Rusia nuk kanë pushuar që prej mesnatës.

10:37 Lavrov: Një Luftë e Tretë Botërore bërthamore është vetëm në kokat e politikanëve perëndimorë

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në një konferencë shtypi në Moskë theksoi se një Luftë e Tretë Botërore bërthamore është vetëm në kokat e politikanëve perëndimorë. Sipas tij, presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se alternativa e vetme ndaj sanksioneve është një Luftë e Tretë Botërore bërthamore”.

10:15  Lindje në kohë lufte/ Pamjet nga Kievi, bodrumi kthehet në maternitet për gratë shtatzëna

Teksa vijon lufta në Ukrainë, gratë shtatzëna janë fotografuar duke pritur që të sjellin në jetë fëmijët e tyre në bodrumin e spitalit që është shndërruar në strehë pasi ka shpërthime me bomba nga forcat ruse. Dhjetëra gra shtatzënë dhe familjet e tyre u strehuan në bodrum, ku shtretërit janë vendosur në dysheme ndërsa më parë ishin dhoma zhveshjeje dhe korridore. Nga ana tjetër, familjet e shqetësuara presin nga momenti në moment që të përfundojë bombardimi.

9:50 Atletët rusë dhe bjellorusë përjashtohen nga Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022

Atletët rusë dhe bjellorusë janë përjashtuar nga Lojërat Dimërore Paraolimpike të Pekinit 2022, të cilat fillojnë të premten. Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Paraolimpik, Andrew Parsons tha se shumë vende kishin paralajmëruar se nuk do të konkurronin nëse atletët rusë dhe bjellorusë lejohen të marrin pjesë.

9:44 OKB: Një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina brenda një jave

Një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi në një postim në Twitter të mërkurën në mbrëmje. “Në vetëm shtatë ditë ne kemi qenë dëshmitarë të eksodit të një milion refugjatësh nga Ukraina në vendet fqinje,” tha Grandi.  “Për shumë miliona të tjerë, brenda Ukrainës, është koha që armët të heshtin, në mënyrë që të mund të sigurohet ndihma humanitare shpëtimtare”, shtoi ai.

9:30  Rusët bombardojnë depon e naftës në Chernihiv  të Ukrainës

Një depo nafte në qytetin Chernihiv, në veri të Ukrainës u godit nga bombardimet gjatë një sulmi ajror të enjten në mëngjes, sipas Shërbimit Shtetëror të Ukrainës për Emergjencat.  Chernihiv është mbuluar me re tymi të dendur, ndërsa zjarrfikësit dhe punonjës të urgjencës po punojnë për fikjen në vendngjarje.

09:00 PAMJET/ Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimin e shkaktuar nga sulmet ruse në zonat në veri të Kievit

Pamjet satelitore të zonave të goditura nga sulmet ushtarake në Ukrainë tregojnë shkallën e dëmtimit ditët e para të pushtimit. Pamjet u kapën më 28 shkurt nga Maxar Technologies. Që atëherë, retë e dendura kanë penguar shumicën e satelitëve të vëzhgojnë situatën. Imazhet tregojnë shtëpi të djegura në fshatin Rivnopillya në rajonin Chernhiv, afërsisht 80 kilometra (rreth 50 milje) në veri të kryeqytetit, Kiev. Në Chernihiv, një urë mbi lumin Stryzhen duket se është shkatërruar, ndërsa ndërtesat e banimit dhe një fabrikë aty pranë duket se kanë pësuar dëmtime. Një autokolonë ushtarake ruse u pa gjithashtu në një rrugë aty pranë.

Çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit:

Bisedimet Ukrainë-Rusi: Një raund i dytë bisedimesh do të zhvillohet të enjten mes delegacioneve të dy vendeve. Raundi i parë u zhvillua të hënën në kufirin bjellorus dhe zgjati pesë orë.

Hetimi: Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë tha të mërkurën se do të vazhdojë menjëherë me një hetim pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Përparimi në Kiev: Forcat ruse që lëvizin drejt kryeqytetit të Ukrainës. Trupat mund të “rigrupohen” ose të përballen me sfida të tilla si mungesa e furnizimit dhe rezistenca e Ukrainës.

Beteja për Kherson: Trupat ruse kanë pushtuar qytetin Kherson, në jug të Ukrainës, një javë pasi filloi lufta. Ky qytet ka 290,000 banorë dhe vitin e kaluar mbajti stërvitje luftarake të mbështetura nga NATO.

Shpërthimet në Kharkiv: Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, u përball me bombardime intensive të mërkurën, duke nisur nga sulmet me raketa ruse që goditën të paktën tre shkolla, një katedrale dhe dyqane.

Votimi në OKB: Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me 141 vota rezolutën e mbështetur edhe nga Shqipëria, e cila dënon pushtimin rus në Ukrainë “në termat më të fortë të mundshëm”.Votimi ishte 141 vende në favor dhe pesë vende ishin kundër tij, me 35 vende të tjera që abstenuan. Serbia ishte një nga vendet që votoi pro rezolutës.

Vala e refugjatëve: Një milion njerëz janë larguar nga Ukraina në vetëm një javë, sipas të dhënave të OKB-së.

FOTO GALERI
1/30

Top Channel