Rusia nuk pajtohet me përjashtimin, çon UEFA-n e FIFA-n në CAS

03/03/2022 22:26

Rusia beson se përjashtimi i përfaqësueses së saj dhe klubeve nga UEFA e FIFA është diçka e paligjshme.

Diçka e tillë i ka shtyrë autoritet e federatës ruse që të shkojnë në CAS ku pretendojnë se vendimi i marrë nga organet më të larta futbollistike në Evropë dhe botë nuk nuk janë në përputhje me rregulloren.

Vetëm pak ditë më parë u mor vendimi që përfaqësuesja e Rusisë dhe skuadrat e saj të mos angazhohet në asnjë event ndërkombëtar që organizohet nga UEFA e FIFA, pas ngjarjeve të ndodhura në Ukrainë, ku ushtria ruse ka nisur pushtimin.

Në gjykatën e arbitrazhit sportiv federata ruse do të kërkojë pezullimin e vendimit ose dëmshpërblimin nëse eventet ku nuk do të marrin pjesë të jenë zhvilluar, duke e konsideruar një vendim të padrejtë.

Shumë prej federatave evropiane shprehën hapur vullnetin e tyre se nuk do të përballeshin me skuadrën e Rusisë dhe duket e vështirë që dhe në CAS të hidhet poshtë vendimi i UEFA-s dhe FIFA-s, për shkak se në situatën aktuale flitet për një gjendje lufte, çka justifikon çdo vendim sportiv dhe jo vetëm.

Top Channel