“Amnesty International” dokumenton tre sulme ruse që vranë 9 civilë

03/03/2022 14:52

“Amnesty International” ka dokumentuar tre sulme që vranë të paktën nëntë civilë, përfshirë fëmijë, në qytetin e Kharkivit më 28 shkurt.

Organizata për të drejtat e njeriut i përshkroi sulmet në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, të cilat ndodhën në të njëjtën kohë kur bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë u zhvilluan në Bjellorusi, si “krime të mundshme lufte”.

Një nga këto sulme, i cili u zhvillua në orën 12:30 pasdite me kohën lokale të Kharkiv-it përfshinte raketa “Smerch” 300 mm të prodhuara nga Rusia me municione thërrmuese “9N235”, që tregon se sulmi ishte nisur nga Rusia.

Të paktën katër civilë u vranë nga sulmi, duke përfshirë një fëmijë dhe tre persona që mblidhnin ujë të pijshëm.

Një sulm tjetër po atë ditë përfshiu gjithashtu një raketë “Smerch” 300 mm në rrugën qendrore Klochkivska të qytetit. Goditja e saj i qëlloi këmbën një gruaje që kishte dalë për pazar gjatë një pushimi të shtetrrethimit. Ajo vdiq shpejt më pas.

 

Top Channel