Pse njerëzit me ngjyrë e kanë më të vështirë të arratisen nga Ukraina

03/03/2022 12:14

Të enjten Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët, deklaroi se një mijë persona janë larguar deri më tani nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus. Shumica e tyre janë shtetas ukrainas, por ka edhe të huaj që janë gjendur aty për arsye pune apo studimi në momentin kur ushtria ruse hyri në Ukrainë.

Në mesin e tyre ka shumë shtetas nga vendet afrikane, por ata kanë një vështirësi të madhe të largohen nga vendi. Referuar historive të treguara nga disa prej tyre, rojet kufitare që ruajnë kufijtë e Ukrainës, veçanërisht atë me Poloninë ku shumë persona mundohen të arratisen, i pengojnë ata të largohen, duke favorizuar në vend të tyre evropianët.

Chineye Mbagwu, një mjeke nigeriane, 24 vjeçe, e cila jeton në qytetin perëndimor të Ukrainës, Ivano-Frankivsk, rreth 140 kilometra nga kufiri polak, i tha Nju Jork Times se ajo kaloi më shumë se dy ditë e bllokuar në kufi afër Medyka, një qytet i vogël polak drejt të cilit po shkojnë shumica e refugjatëve këto ditë.

Mbagwu, deklaroi se rojet kufitare po i lënë ukrainasit të kalojnë, por po lënë pas të huajt, në disa raste të caktuara edhe duke i dhunuar me shkop, duke i goditur me shpulla dhe duke i shtyrë në fund të rreshtave të njerëzve që presin të kalojnë kufirin. Sipas saj, rojet ukraina, po refuzojnë kryesisht qytetarët afrikanë, të Lindjes së Mesme apo indianë.

Një dëshmi e tillë është konfirmuar edhe nga refugjatë të tjerë që nuk i përkasin kombësisë ukrainase.

Ahmed Habboubi, një student 22-vjeçar franko-tunizian që studion për mjekësi tha se të gjithë shtetasit e huaj u ishte thënë që të shkonin tek një portë e caktuar, në pikën kufitare Medyka, ku kalonin vetëm katër persona çdo dy orë.

Në vend të kësaj, qytetarëve ukrainas iu tha të shkonin në një pikë tjetër kalimi, ku u lejuan të kalonin lirshëm. Habboubi tha se ishte dhunuar disaherë nga rojet kufitare ukrainase, aq shumë kur arriti të futej më në fund në Poloni, autoritetet polake duhej ta çonin direkt në spital.

Ishte kaos absolut. Na trajtuan si kafshë dhe vazhdon të ketë mijëra njerëz të bllokuar atje”, tha ai, për Nju Jork Times.

Po ashtu, dëshmi të tilla janë rrëfyer edhe nga persona të ndryshëm në rrjetet sociale, përmes videove dhe fotove që tregonin dhunën e autoriteteve ukrainase.

Në një video që është shpërndarë masivisht nëpër rrjetet sociale ditët e fundit, tregonte disa policë në stacionin e Lviv, duke ndaluar njerëzit me ngjyrë të hipnin në tren, për t’i penguar ata të shkonin afër kufirit polak.

Rachel Onyegbule, një studente nigeriane e mjekësisë në Lviv, i tha CNN se ndërsa ishte në qytetin e Shehyni, në kufirin me Poloninë, dhjetëra autobusë mbërritën për të transportuar qytetarët ukrainas përtej kufirit, por atë dhe disa refugjatë të tjerë nuk e lejuan të hipnin.

Saakshi Ijantkar nga India, studion për mjekësi në Ukrainë, i cili tregoi një përvojë të ngjashme me rastet e treguara më lart. Sipas tij, rojet kufitare, lejuan 30 persona nga India, vetëm atëherë kur 500 ukrainas kaluan kufirin. Ai tregoi se për të kaluar kufirin polak ishin të detyruar të kalonin përmes dy postoblloqeve, që kanë një largësi  rreth 5 km larg njëri-tjetrit. Ukrainasit, thotë ai, transportoheshin me taksi dhe autobusë, ndërsa qytetarët e kombësive të tjera detyroheshin të ecnin në këmbë. Ai foli edhe për raste dhune nga rojet kufitare, si dhe pritje me orë të gjata. Sipas tij, fillimisht lejoheshin të kaloheshin gratë, pastaj nëse burrat tentonin të largoheshin, ata rriheshin pa ndonjë arsye nga rojet kufitare.

Mirëpo, zëvëndësministri i Brendshëm ukrainas Anton Herashenko, hodhi poshtë të gjitha akuzat dhe tha se ata thjeshtë po përpiqen të largojnë gratë dhe fëmijët të parët, pastaj emigrantët e huaj dhe ukrainasit.

Andriy Demchenko, zëdhënësi i shërbimit që menaxhon kontrollet kufitare të Ukrainës, hodhi gjithashtu poshtë akuzat për racizëm dhe dhunë ndaj refugjatëve të huaj në kufi.

Top Channel