Thirrja e Bashkisë Kharkiv për mediat: Na ndihmoni në luftën e informacionit, kushtojini vëmendje ngjarjeve në Ukrainë

03/03/2022 13:10

Bashkia Kharkiv i ka bërë thirrje mediave të huaja që t’i kushtojnë rëndësi ngjarjeve në Ukrainë që të shpërndahen në të gjithë botën.

“Mëngjesin e sotëm, një sulm me raketa është kryer në sheshin më të madh në Ukrainë, i cili ndodhet në qendër të qytetit të Kharkiv. Në shesh nuk kishte pajisje ushtarake dhe aq më tepër nuk kishte objekte ushtarake në kilometrat më të afërt. Ka dhjetëra civilë të vrarë, mes tyre edhe fëmijë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Pas kësaj, kërkojnë ndihmë për të fituar luftën e informacionit në një kohë kur forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e Ukrainës.

“Një katastrofë e tmerrshme po afrohet çdo minutë, por ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar atë. Masakra e përgjakshme duhet ndalur”, thuhet në njoftim.

Top Channel