Abuzimi me vuajtjet! Përvetësuan para dhe në Shqipëri, si nisma humanitare për Ukrainën

03/03/2022 19:41

Ledjon Karaj, 19-vjeçari shqiptar, është një prej mijëra të rinjve në të gjithë botën që ka rënë pre e fushatës së rremë në rrjete sociale “Le të ndihmojmë Ukrainën” nga organizata ‘plantatare’ e cila ka “vjedhur” më shumë se 845 mijë dollarë nga njerëzit e ndjeshëm për ukrainasit në gjendje lufte.

E pashë që e postonin të gjithë dhe thashë pse jo. Kaq kam mundësi të dhuroj një shumë të vogël, por do mund t’i ndihmoj. Ndërkohë që sot më erdhi njoftimi nga instagrami se postimi është fals. Jam mashtruar. Ky është turp i madh që kanë dashur të përfitojnë”, thotë i riu.

Por  ndryshe nga Ledjoni, gazetarja Inva Hasanaliaj ka dyshuar për nismën.

“Mjafton të bëjmë një fast checking dhe shikon që organizata nuk ka të shfaqur themeluesin. Informacioni është shumë i paktë ndaj duhet të dish se ku po i derdh paratë?”

Këto materiale të rrema përhapen në mënyrë të menjëhershme në rrjete sociale. Për Klodiana Kapon drejtuesen e Faktoje.al, organizatës që shërben për verifikimin e fakteve, dezinformimi në kohë krizash ndodh shpesh jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë por edhe nga politikanët.

Ka foto që po përdoren këto kohë të marra nga Lufta e dytë Botërore, apo video të ushtarëve ukrainas që takojnë të dashurat e tyre që nuk janë të vërteta. Më shqetësuese është nisma për të ndihmuar Ukrainën që organizata po vjel fonde për qëllimet e tyre duke mashtruar”, thotë Klodiana Kapo, drejtoreshë e “Faktoje.al”.

 

Top Channel