Premier League gati të ndërpresë marrëveshjet për të drejtat televizive në Rusi

03/03/2022 17:57

Shefi ekzekutiv i Premier League, Richard Masters konfirmoi se marrëveshjet televizive me kompanitë ruse janë në shqyrtim.

Duke folur në Samitin e “FT Business of Sport” të organizuar nga “Financial Times”, Masters shpjegoi se këto marrëveshje janë “qartësisht nën shqyrtim”.

Të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve të Premier League në Rusi i ka “Rambler Media”. Një media e cila është në pronësi të bankës shtetrore “Sberbank”. Kjo e fundit ishte pjesë e sanksioneve të vendosura nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA pas pushtimit rus të Ukrainës.

Premier League ka gjithashtu një kontratë me “Match TV”, në pronësi të “Gazprom Media” dhe “Gazprombank”.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi në sezonin 2022/23, për gjashtë vjet dhe me një vlerë prej 50 milionë euro. Megjithatë edhe kjo marrëveshje mund të anulohet. “Gazprombank” së fundmi ka qenë pjesë e sanksioneve nga SHBA.

Përsa i përketë “Match TV”, ka qenë vetë presidenti rus, Vladimir Putin më 24 qershor 2009 që me anë të një dekreti numër 715 urdhëroi nisjen e saj.

Federata Angleze e Futbollit ka një kontratë me “Match TV” për transmetimin e FA Cup në Rusi dhe UEFA ka një kontratë të veçantë me “Match TV” për të transmetuar Champions League.

La Liga spanjolle, e cila ka partneritet me “Match TV”, po heton gjithashtu të gjitha marrëveshjet ekonomike në Rusi.

 

Top Channel