E plotë/ Spanjë-Argjentinë, finalja e madhe e Botërorit 2026! Nga Topi i Artë te sondazhet, tashmë sytë e botës shohin vetëm nga New Jersey

19/07/2026 20:45

Pas një muaji spektakël, emocionesh dhe surprizash, gjithçka është gati për finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.

Në MetLife Stadium në New Jersey, Spanja dhe Argjentina zbresin në fushë për të luftuar për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Kjo finale shkruan histori, pasi përballen për herë të parë në një Botëror kampionia në fuqi e Evropës dhe kampionia në fuqi e Amerikës së Jugut.

Spanja vjen në këtë sfidë me një formë mbresëlënëse. Skuadra e Luis de la Fuente ka qenë një nga ekipet më dominuese të turneut, duke pësuar vetëm një gol gjatë gjithë kompeticionit dhe duke vendosur një rekord me gjashtë ndeshje pa pësuar gol. Pas barazimit në ndeshjen hapëse ndaj Kepit të Gjelbër, iberikët fituan gjashtë takime radhazi dhe eliminuan kundërshtarë si Austria, Portugalia, Belgjika dhe Franca.

Nga ana tjetër, Argjentina kërkon të mbrojë titullin e fituar në Botërorin e kaluar. Kampionët në fuqi siguruan finalen pas një rikthimi spektakolar ndaj Anglisë në gjysmëfinale, duke fituar 2-1 dhe duke arritur finalen e shtatë në historinë e tyre. Skuadra e Lionel Scalonit ka një seri prej 14 fitoresh radhazi dhe synon të bëhet vetëm kombëtarja e tretë që fiton dy Kupa Bote njëra pas tjetrës.

Një nga historitë më të mëdha të finales është përballja mes dy brezave të futbollit. Në njërën anë është Lionel Messi, i cili kërkon një tjetër triumf botëror dhe mund të jetë në një nga paraqitjet e tij të fundit në këtë kompeticion. Në anën tjetër është Lamine Yamal, ylli i ri i Spanjës, që ka shkëlqyer gjatë këtij Botërori dhe shihet si një prej figurave kryesore të së ardhmes.

Sondazhet e FIFA-s para finales kanë treguar një garë shumë të ngushtë. Në pyetjen se kush do ta fitojë Kupën e Botës 2026, tifozët kanë favorizuar Spanjën me 53% të votave, ndërsa Argjentina ka marrë 47%.

Në një tjetër sondazh, tifozët janë pyetur se cili lojtar do të ketë ndikimin më të madh në finale. Lionel Messi ka marrë 52% të votave, ndërsa Lamine Yamal 48%, duke treguar se pritshmëritë janë të ndara mes eksperiencës së legjendës argjentinase dhe talentit të ri spanjoll.

Para finales u publikuan edhe formacionet zyrtare, me të dy trajnerët që bënë zgjedhjet e tyre për ndeshjen më të rëndësishme të turneut. Disa prej yjeve pritet ta nisin nga stoli, duke shtuar edhe më shumë interesin për vendimet taktike të dy teknikëve.

Edhe përballjet historike mes dy kombëtareve premtojnë spektakël. Spanja dhe Argjentina kanë nga gjashtë fitore ndaj njëra-tjetrës, ndërsa kanë regjistruar edhe dy barazime. Në Kupën e Botës janë përballur vetëm një herë, me Argjentinën që fitoi në vitin 1966.

Përpara finales nuk munguan as debatet jashtë fushës. Sulmuesi i Spanjës, Borja Iglesias, kritikoi FIFA-n për çmimet e larta të biletave, duke e cilësuar situatën si “një turp”.

Ndërkohë, FIFA pritet të arrijë të ardhura rekord nga Botërori 2026, me shifra që mund të shkojnë deri në rreth 15 miliardë dollarë.

Edhe loja e famshme EA Sports FC tërhoqi vëmendjen me parashikimin e saj për fituesin e Botërorit. Simulimi i lojës ka qëlluar kampionët e katër edicioneve të fundit: Spanja në 2010, Gjermania në 2014, Franca në 2018 dhe Argjentina në 2022. Për vitin 2026, loja ka zgjedhur sërish Spanjën.

Gjithçka është gati për finalen e madhe. Spanja kërkon trofeun e dytë botëror në histori, ndërsa Argjentina synon të mbrojë kurorën dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë me Lionel Messin në krye.

LIVE

20:43 Spanjë-Argjentinë, Trump del hapur: Ja kush e fiton finalen e Botërorit

Pak minuta para finales së madhe të Botërorit 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë edhe parashikimin e tij për fituesin.

20:37 Asnjëherë më parë! Finalja e Botërorit sjell rekorde që nuk janë parë kurrë

Finalja mes Argjentinës dhe Spanjës nuk është vetëm beteja për trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

20:23 Spektakël para finales, si u zhvillua ceremonia e mbylljes së Kupës së Botës 2026 në “MetLife Stadium”

Para se topi të nisë të rrotullohet në finalen historike mes Argjentinës dhe Spanjës, stadiumi i Nju Jorkut u kthye për një orë e gjysmë në një skenë të vërtetë muzikore ndërkombëtare, me yje të futbollit, muzikës dhe kinemasë të bashkuar në një ceremoni të pashembullt për një Kupë Bote.

20:15 Sondazhi i FIFA-s para finales, tifozët zgjedhin mes Lamine Yamal dhe Lionel Messit për lojtarin që do të vendosë ndeshjen

Pak minuta para finales së madhe të Kupës së Botës, FIFA ka publikuar një tjetër sondazh për tifozët, këtë herë me pyetjen se cili lojtar pritet të ketë ndikimin më të madh në sfidën vendimtare.

19:14 Publikohen formacionet zyrtare të finales së Botërorit, Pedri dhe Lautaro e nisin nga stoli. Ja si rreshtohen skuadrat në Spanjë-Argjentinë

E gjithë bota mban frymën, pasi në Njw Jersey luhet finalja e madhe e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.

Publikohen formacionet zyrtare të finales së Botërorit, Pedri dhe Lautaro e nisin nga stoli. Ja si rreshtohen skuadrat në Spanjë-Argjentinë

18:17 Botërori 2026/ FIFA ‘fërkon duart’, shkon drejt një rekordi të ardhurash… 15 miliardë dollarë

FIFA ‘fërkon duart’ pasi pret që nga ky botëror të regjistrojë një rekord të ardhurash që mund të kapë kufirin e 15 miliardë dollarëve, një shifër kjo që është më e lartë nga vlerësimi i bërë prej 11 miliardë dollarë.

17:55 Foto/ “Një turp”, finalja e Botërorit, sulmuesi i Spanjës sulmon ashpër FIFA-n për çmimet e biletave

Sulmuesi i Spanjës, Borja Iglesias, ka reaguar ashpër ndaj FIFA-s për çmimet e biletave të finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës.

17:30 Foto/ Mbyllet sondazhi i FIFA-s pak orë para finales, tifozët zgjedhin favoritin për të fituar Kupën e Botës 2026

Pak orë para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, është mbyllur edhe sondazhi i organizuar nga FIFA, ku tifozët nga e gjithë bota votuan për ekipin që besojnë se do të ngrejë trofeun.

17:12 Ka gjetur fituesin e Botërorit në katër kompeticionet e fundit, ja kë parashikon si kampion të këtij viti loja e famshme e futbollit

Loja e famshme EA Sports FC (dikur FIFA) ka tërhequr sërish vëmendjen me parashikimin e saj për fituesin e Kupës së Botës 2026.

16:50 Jo vetëm Messi, një tjetër sulmues ka shansin të vendosë një rekord historik në finalen e Botërorit

Sulmuesi i Spanjës, Mikel Oyarzabal, është vetëm një hap larg një rekordi historik në Kupën e Botës.

13:41 “Legjendë apo një peng?”/ BBC: Finalja ndaj Argjentinës do të përcaktojë Botërorin e Lamine Yamal

Lamine Yamal e kishte të qartë që para nisjes së Botërorit: kur u pyet nëse Spanja do ta fitonte Kupën e Botës, talenti i Barcelonës buzëqeshi dhe u përgjigj thjesht: “Po”.

13:36 “Të bëjmë një tjetër Botëror, kësaj radhe pa Kanadanë dhe Meksikën”/ Presidenti Trump nuk i kursen batutat: Pse jo së bashku me Kinën?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë shaka për organizimin e një tjetër Kupe Bote, këtë herë pa pjesëmarrjen e Meksikës dhe Kanadasë, dy vendet që bashkë me SHBA-në po presin Botërorin 2026.

13:28 “Kjo finale është një dhuratë nga perënditë”/ Infantino: Botërori 2026, ngjarja më e jashtëzakonshme në historinë e njerëzimit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë një deklaratë shumë të bujshme pak para finales së madhe të Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, duke e cilësuar turneun e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë si një ngjarje të paprecedentë në historinë e sportit.

12:38 FIFA thyen parimin e saj kundër politikës në futboll, Argjentinës i jepet “drita jeshile” për flamurin e Falklandeve nëse fiton Botërorin

Argjentina mund të shfaqë sërish flamurin dhe mesazhet për ishujt Falkland nëse triumfon në finalen e Botërorit 2026 ndaj Spanjës.

12:11 Messi ende në garë për “Këpucën e Artë”, ja çfarë i duhet yllit argjentinas në finalen ndaj Spanjës për të kaluar Mbappen

Lionel Messi ka ende një tjetër objektiv për të arritur në finalen e Botërorit 2026. Përveç trofeut të dytë radhazi të Kupës së Botës me Argjentinën, kapiteni argjentinas kërkon edhe një çmim individual: “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut.

11:40 Finalja e Botërorit 2026/ Spanjë-Argjentinë, dy filozofi të ndryshme që nxjerrin në pah individin brenda kolektivit

Një finale botërori që nuk është parë kurrë më parë mes skuadrës kampione të Evropës dhe asaj të Amerikës së Jugut.

11:28 Po sikur Messi të kishte zgjedhur Spanjën? Historia e pabesueshme e momentit kur Argjentina rrezikoi të humbiste legjendën e saj

Një vendim i marrë më shumë se 20 vite më parë mund të kishte ndryshuar jo vetëm karrierën e Lionel Messit, por edhe historinë e futbollit botëror.

11:12 “Messi e meriton Topin e Artë, por nëse fiton Spanja do të ndahet mes…”/ Pique analizon finalen: Ja cili është çelësi për t’u shpallur kampion

Gerard Piqué e di më mirë se shumë të tjerë emocionin e një finaleje të Kupës së Botës. Më 11 korrik 2010, ish-mbrojtësi i Spanjës ishte pjesë e skuadrës që ngriti për herë të parë në histori trofeun e Botërorit në Afrikën e Jugut.

10:52 Kur nxënësi sfidon mësuesin për fronin e botës, historia e veçantë e Scalonit dhe De la Fuentes para finales së Botërorit

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës nuk do të jetë vetëm një duel për trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

10:40 Mediat janë të sigurta: Fituesi i Botërorit do të marrë Topin e Artë/ Messi pranë numrit 9, por Lamine Yamal…

Sfida në “MetLife Stadium” pritet të ketë një ndikim të madh edhe në garën për “Topin e Artë” 2026, ceremonia e të cilit do të zhvillohet më 26 tetor në Londër.

10:38 Google feston me një Doodle finalen e Kupës së Botës, faqja kryesore e motorit të kërkimit ‘vishet’ me ngjyrat e Argjentinës dhe Spanjës

Google ka shënuar finalen e Kupës së Botës 2026 me një doodle të veçantë dedikuar sfidës së madhe mes Argjentinës dhe Spanjës.

10:00 Argjentina përballë një “mallkimi” historik në finalen me Spanjën, statistikat nuk favorizojnë kampionët në fuqi

Argjentina do të zbresë sonte në fushë përballë Spanjës me synimin për të mbrojtur titullin e fituar katër vite më parë, por historia e Kupës së Botës nuk është në favor të kampionëve në fuqi.

09:46 Messi tërhiqet nga kombëtarja? Mesazhi i kapitenit argjentinas për tifozët para finales: Çfarëdo të ndodhë, kjo histori nuk do harrohet kurrë

Pak orë përpara finales së madhe të Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ka emocionuar tifozët me një letër të hapur drejtuar gjithë popullit argjentinas.

09:42 Lionel Messi dhe lidhja me New Yorkun, në 2016 tërheqja nga kombëtarja, në 2026 ëndrra për titullin e dytë radhazi botëror

Duket një absurditet, por është e vërtetë; 26 qershori 2016 ishte dita kur Lionel Messi u tërhoq nga kombëtarja argjentinase.

09:32 Spanjë-Argjentinë/ E gjithë bota me sytë nga New Jersey, ja kë favorizojnë koeficientët

Edhe pse Argjentina mbërrin në finale si kampionia në fuqi, basteshkruesit e shohin Spanjën si favorite për të fituar ndeshjen dhe për të ngritur trofeun.

Top Channel