Messi ende në garë për “Këpucën e Artë”, ja çfarë i duhet yllit argjentinas në finalen ndaj Spanjës për të kaluar Mbappen

19/07/2026 12:11

Lionel Messi ka ende një tjetër objektiv për të arritur në finalen e Botërorit 2026. Përveç trofeut të dytë radhazi të Kupës së Botës me Argjentinën, kapiteni argjentinas kërkon edhe një çmim individual: “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut.

Por rruga drejt këtij trofeu nuk është e lehtë. Përpara tij qëndron një tjetër superyll, Kylian Mbappé, i cili e ka mbyllur aventurën e tij në Botëror me 10 gola pas finales për vendin e tretë.

Messi hyn në finalen ndaj Spanjës me 8 gola, që do të thotë se i duhen të paktën dy realizime për të barazuar francezin, ndërsa tre gola për ta kaluar dhe për ta fituar trofeun pa diskutime.

Skenarët që i japin Messit “Këpucën e Artë”

Nëse Messi shënon 3 ose më shumë gola ndaj Spanjës, ai bëhet automatikisht golashënuesi më i mirë i Botërorit 2026.

Në rast se shënon 2 gola, atëherë do të barazonte Mbappénë me 10 gola dhe vendimi do të shkonte te kriteret e FIFA-s.

Në këtë rast, Messi mund ta fitojë trofeun nëse:

shënon 2 gola dhe jep 1 asist, duke kaluar Mbappénë falë kriterit të asistimeve;
barazon me 10 gola dhe asistet janë të njëjta, por atëherë do të vendoste kriteri i minutave të luajtura.

Si funksionojnë kriteret e FIFA-s?

Në rast barazimi për numrin e golave, FIFA përdor këto kritere:

Më shumë asistime – lojtari me më shumë pasime për gol fiton;
Më pak minuta të luajtura – nëse edhe golat dhe asistet janë të barabarta, fiton lojtari që ka luajtur më pak minuta gjatë turneut.

Mbappé e ka mbyllur Botërorin me 769 minuta të luajtura, ndaj Messi do të kishte nevojë për një situatë shumë specifike nëse do të barazonte me 10 gola pa asistime.

Për Messin, finalja ndaj Spanjës në New Jersey nuk është vetëm një përballje për historinë e Argjentinës. 39-vjeçari mund të largohet nga Botërori me dy kurora të mëdha: Kupën e Botës dhe “Këpucën e Artë”.

Top Channel