FIFA, telashe të reja për Infantinon/ Republika Demokratike e Kongos, në Botëror me një portier që nuk i lejohej të luante
Më pak se tre muaj pas finales së Kupës së Botës 2026, FIFA ka publikuar një raport që nxjerr në pah përmasat shqetësuese të gjuhës së urrejtjes gjatë turneut.
Sipas të dhënave zyrtare, Argjentina ishte kombëtarja që mori numrin më të madh të mesazheve të urrejtjes në rrjetet sociale, me sulme që u shtuan paralelisht me ecurinë e kompeticionit. Studimi u realizua nga Shërbimi i Mbrojtjes së Mediave Sociale (SMPS), në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor. Ai përfshiu periudhën nga 9 qershori deri më 20 korrik 2026 dhe analizoi më shumë se 17,1 milionë postime dhe komente në platformat X, Instagram, Facebook dhe TikTok.
Pas Argjentinës, kombëtaret që u përballën me më shumë sulme ishin Anglia, Spanja, Brazili dhe Norvegjia. Në rastin e skuadrës së drejtuar nga Lionel Scaloni, një prej temave kryesore të kritikave ishte pretendimi se ekipi kishte përfituar nga vendimet e arbitrave. Krahas kësaj, u evidentuan edhe mesazhe me përmbajtje ksenofobe.
Racizmi, homofobia dhe transfobia, në qendër të sulmeve ndaj lojtarëve
Kur bëhet fjalë për sulmet ndaj futbollistëve individualisht, Argjentina u rendit e katërta, pas Francës, Anglisë dhe Portugalisë. Racizmi ishte një nga format më të përhapura të abuzimit, veçanërisht ndaj lojtarëve me origjinë afrikane. FIFA nuk bëri publik identitetin e futbollistit që u përball me numrin më të madh të sulmeve gjatë turneut. Megjithatë, raporti konfirmoi se ai ishte objekt i abuzimeve të rënda, të cilat përfshinin racizëm, homofobi, seksizëm dhe transfobi. Ndërkohë, sulmet me natyrë ksenofobe u përqendruan kryesisht te Afrika e Jugut, Argjentina dhe Anglia. Mesazhet kishin në shënjestër çështje si emigracioni, identiteti kombëtar dhe përbërja e skuadrave.
Raporti evidentoi gjithashtu një kontradiktë domethënëse: Argjentina ishte njëkohësisht kombëtarja më e sulmuar nga urrejtja dhe një prej burimeve të mesazheve raciste, duke kryesuar këtë kategori në nivel rajonal. Megjithatë, në shkallë më të gjerë, Evropa regjistroi numrin më të madh të sulmeve të përgjithshme, e ndjekur nga Amerika e Jugut.
Arbitrat, objektivi i kërcënimeve më të rënda
Një tjetër përfundim shqetësues i raportit lidhet me gjyqtarët, të cilët u përballën me kërcënimet më të rënda gjatë Botërorit. Ata ishin gjithashtu objektivi kryesor i përpjekjeve për zbulimin e të dhënave personale, një praktikë e njohur si doxxing, që përdoret për të ekspozuar individët dhe për t’i bërë më të prekshëm ndaj ngacmimeve. Dyshimet për korrupsion dhe manipulim të ndeshjeve ishin ndër arsyet kryesore që nxitën këto sulme ndaj arbitrave.
Të dhënat e FIFA-s tregojnë se, përtej rivalitetit sportiv, rrjetet sociale vazhdojnë të jenë një hapësirë ku futbollistët, kombëtaret dhe zyrtarët e ndeshjeve ekspozohen ndaj formave të rënda të abuzimit, përfshirë racizmin, diskriminimin dhe kërcënimet personale.
Top Channel