“Legjendë apo një peng?”/ BBC: Finalja ndaj Argjentinës do të përcaktojë Botërorin e Lamine Yamal

19/07/2026 13:41

Lamine Yamal e kishte të qartë që para nisjes së Botërorit: kur u pyet nëse Spanja do ta fitonte Kupën e Botës, talenti i Barcelonës buzëqeshi dhe u përgjigj thjesht: “Po”.

Një përgjigje që nuk habiti askënd nga ata që kanë ndjekur shpërthimin e 19-vjeçarit, i cili brenda pak vitesh është kthyer në një nga futbollistët më të veçantë në planet. Por për shumë tifozë, që parashikimi i tij të realizohet, Yamal duhej të ishte protagonisti absolut i këtij Botërori.

Deri tani, historia ka qenë pak më ndryshe.

Spanjolli ka shënuar vetëm një gol dhe nuk ka dhënë asnjë asist në turne, ndërsa emra si Lionel Messi, Kylian Mbappé, Harry Kane, Jude Bellingham apo Erling Haaland kanë marrë më shumë vëmendje me paraqitjet e tyre.

Megjithatë, Spanja ka arritur finalen pa pasur nevojë për një Yamal vendimtar. Tani, në sfidën e madhe ndaj Argjentinës në New Jersey, pyetja është: a do të jetë kjo ndeshja që do ta kthejë Botërorin e tij nga një turne i qetë në një moment historik?

Statistikat tregojnë se Yamal tashmë është pjesë e një grupi të jashtëzakonshëm. Ai nuk ka humbur asnjë ndeshje zyrtare me Spanjën në 27 paraqitjet e tij të para dhe ka fituar të gjitha 12 ndeshjet që ka nisur në turnetë madhorë.

Nëse shënon në finalen ndaj Argjentinës, ai do të bëhej vetëm adoleshenti i tretë në histori që gjen rrjetën në një finale Botërori, pas Pelés në vitin 1958 dhe Kylian Mbappé në vitin 2018.

Nëse Spanja shpallet kampione, Yamal do të ishte vetëm lojtari i katërt adoleshent që nis një finale Botërori dhe ngre trofeun, pas Pelés, Mbappés dhe italianit Giuseppe Bergomi.

Për tifozët spanjollë, megjithatë, golat nuk janë gjëja më e rëndësishme.

“Nëse fiton Botërorin me Spanjën, askush nuk do të kujtojë nëse shënoi shumë apo krijoi shumë gola. Ai do të jetë legjendë përgjithmonë”, tha një tifoz i La Rojas.

Botërori i Yamal nuk ka qenë aspak i dobët. Ai thjesht nuk ka pasur shkëlqimin që shumë prisnin.

I rikuperuar nga një dëmtim para turneut, ai nisi në stol ndeshjen hapëse ndaj Kepit të Gjelbër dhe më pas shënoi në debutimin e tij si titullar në Kupën e Botës.

Në total, ai ka treguar vazhdimisht rrezik me topin në këmbë. Yamal ka tentuar 49 driblime, më shumë se çdo lojtar tjetër në turne, ndërsa ka kompletuar 22 prej tyre.

Para gjysmëfinales me Francën, Rodri kishte kërkuar që shoku i tij i skuadrës të luante më i qetë.

“Duhet të ulë pak ankthin për të provuar veten. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por është vetëm 19 vjeç dhe duhet ta ndihmojmë në momente të caktuara”, tha mesfushori spanjoll.

Finalja ndaj Argjentinës ka edhe një histori simbolike. Në njërën anë është Lionel Messi, 39 vjeç, në kërkim të Kupës së dytë të Botës. Në anën tjetër është Yamal, lojtari që shumë e shohin si një nga pasardhësit e mundshëm të tij.

Historia e tyre është bërë tashmë e famshme: gati 20 vite më parë, një Messi 20-vjeçar u fotografua duke larë një Lamine Yamal vetëm 5 muajsh në një set fotografik.

Krahasimet me Messin janë të pashmangshme, por trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, kërkon t’i japë fund tyre.

“Gabimi më i madh do të ishte ta krahasonim me Messin apo Maradonën. Ai është ende në një proces zhvillimi”, tha trajneri spanjoll.

Në moshën 19-vjeçare, Yamal ka fituar tashmë një Europian, ka luajtur në një gjysmëfinale të Champions League dhe mban fanellën me numrin 10 te Barcelona.

Për shumë njerëz, kjo finale është beteja mes së shkuarës dhe së ardhmes: Messi kundër Yamal.

Nëse Argjentina fiton, historia do të jetë ajo e triumfit të fundit të gjeniut nga Rosario. Por nëse Spanja ngre trofeun, kjo mund të kujtohet si nata kur një tjetër yll mori skenën botërore.

Siç shkruan BBC, për Lamine Yamal kjo finale mund të jetë momenti që përcakton nëse Botërori 2026 do të mbahet mend si fillimi i një legjende… apo si një mundësi e humbur.

Top Channel