LIVE SPANJË-ARGJENTINË/ “La Roja” më kërkuese, pjesa e parë në New Jersey mbyllet pa gola (Video)
Një finale botërori që nuk është parë kurrë më parë mes skuadrës kampione të Evropës dhe asaj të Amerikës së Jugut. Ishte e vështirë të mendoje një finale më sugjestionuese se kjo në aspektin e tërheqjes së publikut. Por është edhe aspekti taktik. Në konformizmin e përgjithshëm, Spanja dhe Argjentina zbatojnë idetë e tyre pa shumë kompromise.
De La Fuente niset nga tradita e një kombëtareje që frymëzohet prej të paktë 20 vitesh nga logjika pozicionale historike e Barcelonës. Nis që aty, por më pas e bën lojën në bazë të interpretuesve. Scaloni ka ndërtuar një skuadër që vështirë se do të përsëritet dhe këtë e ka bërë duke nisur nga kërkesat e futbollistit më të fortë në botë, por që është rreth të 40-ave. Duket sikur thjeshtëzohet kur e përkufizon këtë ndeshje si një përballje mes kolektivit dhe yllit të futbollit. Në radhë të parë, sepse edhe La Roja ka shumë futbollistë të një niveli absolut dhe sepse të dyja skuadrat luajnë përmendësh në mënyrë spontane sa ngjajnë më shumë si klube se si kombëtare.
Në krahasim me Euro 2024, Spanja kërkon më pak lojën një për një. Lamine Yamal nuk është në formën maksimale dhe Nico ëilliams ka luajtur vetëm pjesë ndeshjesh. Në vendin e tij është Baena që është më i aftë për të hyrë në qendër dhe të kombinojë me shokët e skuadrës në zona të ngushrta. Loja ka pësuar shumë ndryshime të rëndësishme. Si gjithnjë, gjithçka bazohet te zotërimi i topit dhe te daljet në sulm nga poshtë. Rodri, shtylla në qendër dhe shokët e ti të repartit Pedri apo Fabian Ruiz me Dani Olmon, variojnë pozicionet për një mesfushë që mund të ketë dy lojtarë në këtë pozicion dhe një trekuartist ose një futbollist në mesin e fushës dhe dy gjysmësulmes krahu. Punohet shumë me rotacionet që lejojnë një aksion fluid që vjen edhe për shkak të kërkimit të topave të dhënë në diagonal për të lejuar vijimin e aksionit. Ndryshimi total i vërtetë erdhi falë pozicionit të Oyarzabal. një qendërsulmues i vërtetë që u shndërrua në një nr.9 fals i cili së bashku me Dani Olmon marrin pjesë në mënyrë aktive në manovër, janë kaq aktiv sa duke vëzhguar hartën e lëvizjeve të La Roja, dy sulmusit janë në pozicion më të tërhequr në krahasim me lojtarët ofensivë të krahut. Faza e zotërimit të topit karakterizohet edhe nga prania konstante e futbollistëve të krahut që alternohen me Lamine Yamal dhe Baenan në krahë. Në fazën mbrojtëse, është klasikja 4-4-2 ku pritet një bllok në mes apo kërkohet një presing një për një dhe një linjë e lartë si në ndeshjen ndaj Francës. Në rast të humbjes së topit, vendimtar është kërkimi i rifitimit të menjëhershëm të tij.
Argjentina ka një strukturë unike. ‘La Scaloneta’ zhvillohet në një sistem kundërpeshash në të dyja fazat. Bazoher në një ‘pushtim’ konstant të pjesës qendrore të fushës, si në momentin kur e ka topin në zotërim ashtu edhe kur nuk e ka. Lëviz në bazë të zgjedhjeve të Messit. Ka një timon para mbrojtjes, Paredes, dy gjysmësulmues krahu që zgjerohen kur iu kërkohet dhe është rasti i De Paul e Mac Allister si dhe një futbollist që i bën të gjitha Enzo Fernandez, që mund të veprojë si një mesfushor sulmues ose mund të vihet në një linjë me shokët e skuadrës për të formuar një 4-4-2 në fazën kur skuadra nuk e ka topin në zotërim.
Zemra e skuadrës është mesfusha së cilës i shtohet Messi që lëviz sipas linjave që sugjeron gjenialiteti i tij. Mund të përkufizohet si një futboll relacional ku lojtarët tentojnë të krijojnë lidhje teknike duke kryer kombinime të afërta mes tyre. Në brendësi të këtij sistemi, kur nr.10 lëviz në drejtim të zonës, është gjithnjë dikush gati për një ndërhyrje të shpejtë. Krahët janë shpesh kompetencë e lojtarëve që luajnë poshtë apo të atyre që janë më në brendësi dhe që hapen.
Nëse te Spanja Plani B nuk e ndryshon sistemin(zëvendësimet shpesh bëhen kokë më kokë, me Merinon që merr vendin e Dani Olmos, Ferran Torres atë të Baenës apo Oyarzabal e Pedri atë të Fabian Ruiz e anasjelltas), te Argjentina, që shpesh është thirrur në apel për të përmbysur situata që dukeshin të kompromentuar, ndodh një revolucion i vërtetë. Zakonisht niset me Nico Gonzales për t’i dhënë më shumë peshë krahut të majtë në fazën sulmues, më pas hyn në qendërsulmues më shumë(Lautaro Martinez) në vend të një qendërsulmuesi dhe kalohet në një sistem me Messin që luan më në krahë, dy qendërsulmues , 3 mesfushorë dhe lojtarët e krahut që vendosen më poshtë. Kur kërkohet fitorja me çdo kusht mund të ndodhë të hidhen në fushë edhe Almada e Flaco Lopez si në castet e fundit në ndeshjen me Zvicrën në çerekfinale. Por në situatat të tilla, më shumë se organizimi dhe pozicionet, ka rëndësi dëshira për të mos u dorëzuar kurrë, forca e vërtetë e Argjentinës në këtë Botëror 2026.
Top Channel