Italia mori një barazim 1-1 ndaj Francës në një ndeshje të fortë dhe me ritëm, ndërsa trajneri Roberto Mancini u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.

Në përfundim të takimit, për mikrofonat e Rai-t, tekniku italian vlerësoi mbi të gjitha mënyrën se si ekipi u përball me një kundërshtar të mbushur me yje. “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Sidomos në fillim, bëmë mirë që nuk i lejuam shumë hapësira, edhe pse Franca kishte më shumë zotërim të topit. Më pas bëmë disa gjëra shumë të mira. Ishte vërtet një ndeshje e fortë”, tha Mancini.

Trajneri theksoi veçanërisht shpirtin e grupit, duke nënvizuar se Italia u mbrojt dhe sulmoi si një skuadër e vetme. “Skuadra bëri gjithçka në mënyrë perfekte si ekip. Mbrojtëm si skuadër dhe sulmuam si skuadër. Për këtë arsye, është padyshim një mbrëmje shumë pozitive.” I pyetur nëse ndeshja ndaj Francës ishte një provë për Italinë, Mancini e cilësoi më shumë si një tjetër etapë në zhvillimin e ekipit. “Jo, nuk e shoh si një provim. Doja që të ishte një tjetër hap përpara në rrugëtimin tonë të përmirësimit dhe përgjigjja ishte pozitive.”

Mancini vlerësoi gjithashtu guximin e Italisë për të luajtur futboll edhe përballë një France me shumë cilësi. “Gjëja që më pëlqeu më shumë ishte se provuam të luanim. Nuk ishte aspak e thjeshtë, sepse Franca është një skuadër e jashtëzakonshme dhe ka shumë kampionë. Megjithatë, ne arritëm të luanim dhe, në momentet kur ata vuajtën, i vendosëm në vështirësi.”

Në fund, trajneri italian theksoi edhe ambicien për të kërkuar golin, pavarësisht forcës së kundërshtarit. “Sa herë që patëm mundësi, u përpoqëm të shkonim për të shënuar. Ky është një aspekt shumë pozitiv. Asnjëra skuadër nuk donte të kënaqej me barazimin. Por ky është futbolli.”

Top Channel