Kriza e Ronaldos me Jorge Jesus shkon përtej Portugalisë, De la Fuente thyen heshtjen
Mbyllet përfundimisht beteja e ashpër ligjore mes Kylian Mbappé dhe Paris Saint-Germain. Autoritetet franceze kanë hedhur poshtë padinë e ngritur nga ylli francez për ngacmim të dyshuar gjatë muajve të tij të fundit në “Parc des Princes”.
Hetimi u mbyll zyrtarisht në maj për mungesë provash, pasi vetë sulmuesi i Real Madridit vendosi të tërhiqte ankesën. Megjithatë, francezi ka fituar sfidën kryesore, duke siguruar një vendim gjykate prej 61 milionë eurosh ndaj ish-klubit të tij.
Zanafilla e “luftës së ftohtë”
Konflikti i bujshëm daton në verën e vitit 2023, kur Mbappé tronditi drejtuesit e PSG-së duke njoftuar vendimin për të mos rinovuar kontratën. Përgjigjja e klubit ishte e prerë: lojtari duhej të rinovonte ose të shitej për një shifër të lartë, në mënyrë që të mos largohej me parametra zero në fund të sezonit. Pasi Mbappé refuzoi kushtet, klubi e ndëshkoi duke e përjashtuar nga skuadra e parë për disa javë, përpara se të rikthehej nën urdhrat e trajnerit Luis Enrique për të zhvilluar sezonin e tij të fundit në Paris.
Përplasja në gjykatë dhe shifrat e bllokuara
Ajo që nisi si një krisje sportive, degradoi shpejt në një betejë të mirëfilltë ligjore. Pas transferimit të tij te Real Madridi, PSG mbajti peng një pjesë të konsiderueshme të pagës dhe bonuseve të lojtarit. Klubi francez pretendoi se ky bllokim bazohej në një marrëveshje verbale mes Mbappé dhe presidentit Nasser Al-Khelaifi, e cila, sipas tyre, i kishte hapur rrugën rikthimit të tij në fushë.
Lojtari i mohoi kategorikisht këto pretendime dhe kaloi në kundërsulm. Në maj 2025, ai nisi një ofensivë totale ligjore duke kërkuar jo vetëm paratë e papaguara, por duke ngritur edhe një padi për ngacmim në vendin e punës, të lidhur drejtpërdrejt me përjashtimin e tij nga skuadra. Pak kohë më vonë, ai e tërhoqi vetë këtë ankesë, duke çuar në pushimin e hetimeve nga gjyqtarët hetues për shkak të mungesës së provave dhe mungesës së mbështetjes nga vetë ankimuesi.
Fitorja 61 milionë euroshe dhe fundi i sagës
Nëse beteja për “ngacmim” u sfumua, ajo financiare përfundoi me një triumf absolut për sulmuesin. Gjykata e punës vendosi në favor të lojtarit, duke detyruar Paris Saint-Germain t’i paguajë plot 61 milionë euro.
Përballë këtij vendimi të formës së prerë, PSG zgjodhi të ngrinte flamurin e bardhë dhe të mos apelonte. Me shlyerjen e detyrimeve financiare dhe rrëzimin e dosjes së ngacmimit, mbyllet zyrtarisht një nga mosmarrëveshjet më të përfolura dhe më të kushtueshme në historinë e futbollit modern.
Top Channel