Kriza e Ronaldos me Jorge Jesus shkon përtej Portugalisë, De la Fuente thyen heshtjen
Cristiano Ronaldo duket se ka marrë mbështetjen e tifozëve portugezë pas përplasjes së fundit me trajnerin e kombëtares, Jorge Jesus.
Edhe pse Portugalia fitoi ndaj Danimarkës, në vendin luzitan vazhdon të dominojë debati rreth asaj që ndodhi përpara ndeshjes. Ronaldo u largua nga grumbullimi i kombëtares pas deklaratave të Jorge Jesus, i cili kishte bërë të ditur se kapiteni nuk do të luante ndaj Danimarkës, pasi kishte nisur nga stoli edhe në sfidën kundër Norvegjisë.
Në Lisbonë janë shfaqur tashmë disa postera gjigantë me imazhin e Cristiano Ronaldos dhe një mesazh të qartë në mbështetje të kapitenit. “Faleminderit Cristiano Ronaldo për gjithçka që ke bërë për Portugalinë. Do të jesh gjithmonë kapiteni ynë”, shkruhet në poster. Në krah të Ronaldos është vendosur edhe një imazh bardhezi i Jorge Jesus, shoqëruar me një mesazh shumë më kritik: “Nuk ishte në lartësinë e duhur, i mungoi ndjeshmëria në menaxhimin e CR7, nuk e trajtoi në mënyrën e duhur kapitenin, ego e shfrenuar”.
Sipas raportimeve nga mediat portugeze, pas kësaj nisme qëndron një person i vetëm, pronar i një kompanie reklamash dhe afishimesh. Ai ka bërë të ditur se i njëjti mesazh do të shfaqet edhe pranë stadiumit “Do Dragão” në Porto, ku Portugalia do të luajë ndeshjen e radhës kundër Norvegjisë.
Ndërkohë, Federata Portugeze e Futbollit po përpiqet të menaxhojë situatën në mënyrë që historia e Cristiano Ronaldos me kombëtaren të mos përfundojë në këtë mënyrë. Pavarësisht fitores ndaj Danimarkës, përplasja mes kapitenit legjendar dhe trajnerit Jorge Jesus mbetet një nga temat kryesore të futbollit portugez.
Top Channel