Kur nxënësi sfidon mësuesin për fronin e botës, historia e veçantë e Scalonit dhe De la Fuentes para finales së Botërorit

19/07/2026 10:52

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës nuk do të jetë vetëm një duel për trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

Në “MetLife Stadium” do të përballen edhe dy trajnerë që dikur ndanin të njëjtën klasë, por me role krejtësisht të ndryshme: Luis de la Fuente ishte mësuesi, ndërsa Lionel Scaloni nxënësi.

Në vitin 2017, pak pasi kishte mbyllur karrierën si futbollist, Scaloni ndoqi kursin për licencën UEFA Pro në qendrën e Federatës Spanjolle të Futbollit në Las Rozas. Një nga pedagogët që u mësonte taktikën dhe sistemet e lojës ishte pikërisht Luis de la Fuente, i cili në atë kohë drejtonte ekipet e moshave të Spanjës.

Shtatë vite më vonë, fati i ka vendosur përballë në ndeshjen më të madhe të futbollit.

Scaloni: “Kam mësuar shumë prej tij”

Trajneri i Argjentinës nuk e ka fshehur kurrë respektin për ish-profesorin e tij.

“Jo vetëm që e pata mësues gjatë kursit të trajnerit, por krijuam edhe një marrëdhënie të veçantë. E vlerësoj shumë Luisin për mënyrën si është si njeri dhe për afrimitetin që ka me të gjithë. Fati deshi që sot të përballemi në finalen e Botërorit”, u shpreh Scaloni pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale.

Sipas tij, marrëdhënia mes tyre ka mbetur e ngushtë edhe pas përfundimit të kursit, ndërsa shpesh komunikojnë me mesazhe përtej futbollit.

De la Fuente: “Jam krenar për të”

Edhe trajneri i Spanjës nuk e ka fshehur admirimin për ish-nxënësin e tij.

“Jam shumë i lumtur që përballemi me Argjentinën. Përveç lidhjes që kam me Scalonin, mes nesh ekziston respekt dhe miqësi e madhe. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Argjentinën.”

Madje, De la Fuente ka pranuar se në disa aspekte është frymëzuar edhe nga idetë e ish-nxënësit të tij.

Nga skepticizmi te suksesi

Të dy trajnerët kanë një histori të ngjashme.

Kur Scaloni mori drejtimin e Argjentinës në vitin 2018, shumë e vunë në dyshim për shkak të mungesës së eksperiencës. Edhe Diego Maradona ishte kritik ndaj emërimit të tij.

Edhe De la Fuente u përball me skepticizëm kur mori drejtimin e kombëtares spanjolle, pasi vinte nga ekipet e moshave dhe nuk konsiderohej një emër i madh.

Megjithatë, të dy iu përgjigjën kritikëve me rezultate.

Scaloni fitoi Kupën e Botës 2022 dhe dy herë Copa América, ndërsa De la Fuente udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Ligën e Kombeve 2023 dhe Euro 2024.

Një finale me histori të veçantë

Ish-trajnerja e kombëtares së femrave të Spanjës, Montse Tomé, e cila ishte pjesë e të njëjtit kurs në vitin 2017, kujton se askush nuk mund ta imagjinonte se një ditë mësuesi dhe nxënësi do të përballeshin në finalen e Kupës së Botës.

“Atëherë nuk e mendoja kurrë një skenar të tillë. Por e dija që Luis kishte potencial për të arritur në majë. Ai jetonte për futbollin dhe punonte pa u lodhur.”

Sonte, njëri prej tyre do të ngrejë trofeun e Kupës së Botës, por pavarësisht rezultatit, historia e tyre mbetet një nga më të veçantat që ka prodhuar ndonjëherë futbolli: mësuesi dhe nxënësi do të luftojnë mes tyre për titullin më të madh në botë.

Top Channel