Pushimi i pjesës së parë zgjati më shumë se një pjesë loje, rekord i pazakontë në finalen e Botërorit
Argjentina mund të shfaqë sërish flamurin dhe mesazhet për ishujt Falkland nëse triumfon në finalen e Botërorit 2026 ndaj Spanjës.
Sipas raportimeve, skuadra argjentinase ka marrë miratimin nga task-forca e FIFA-s në Shtëpinë e Bardhë për të ekspozuar simbolikën e saj në rast të fitimit të trofeut.
Andrew Giuliani, drejtuesi i kësaj task-force, ka deklaruar se lojtarët argjentinas duhet të kenë të drejtën të shprehin opinionet e tyre dhe se një mesazh i tillë nuk duhet të pengohet.
Çështja lidhet me një nga konfliktet më të ndjeshme politike në historinë e Argjentinës. Ishujt Falkland, të njohur në Argjentinë si Malvinat, janë prej dekadash objekt i pretendimeve territoriale mes Buenos Airesit dhe Mbretërisë së Bashkuar. Lufta e vitit 1982 mes dy vendeve për kontrollin e ishujve mbetet një plagë historike për argjentinasit.
Megjithatë, vendimi ka hapur debat për shkak të qëndrimit tradicional të FIFA-s kundër përfshirjes së politikës në futboll.
Rregulloret e FIFA-s dhe organizatave ndërkombëtare të futbollit kanë përcaktuar prej vitesh se stadiumet dhe aktivitetet sportive nuk duhet të përdoren për deklarata politike, fetare apo ideologjike.
Një rast i fundit që riktheu këtë debat ishte ai i yjeve të Spanjës pas triumfit në Euro 2024. Rodri dhe Álvaro Morata u dënuan me nga një ndeshje pezullim nga UEFA pasi kënduan “Gjibraltari është spanjoll” gjatë festimeve të titullit evropian në Madrid. UEFA argumentoi se lojtarët kishin përdorur një event sportiv për një shprehje jo-sportive dhe kishin shkelur parimet e sjelljes.
Ky rast solli pyetje të shumta mbi mënyrën se si trajtohen deklaratat me natyrë politike në futboll dhe nëse ekziston një standard i njëjtë për të gjitha kombëtaret.
Nëse Argjentina mposht Spanjën në finalen e madhe në New Jersey, festa e kampionëve mund të shoqërohet edhe me simbolikën e Falklandeve, një çështje që për argjentinasit ka peshë të madhe kombëtare.
Por vendimi ka gjasa të rikthejë diskutimin më të madh në futbollin modern: ku përfundon shprehja e identitetit kombëtar dhe ku fillon përdorimi i sportit për mesazhe politike.
Top Channel