Historike! Më shumë se 2/3 e Asamblesë së OKB voton për rezolutën që dënon pushtimin rus. Bisedimet për paqe vazhdojnë të enjten

02/03/2022 21:00

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka mbërritur në ditën e shtatë të saj, duke kapërcyer tashmë në një fazë të re. Ditën e sotme pritet të mbahet takimi i dytë mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në mënyrë që të ketë negociata për t’i dhënë fund luftës. Të hënën u mbajt takimi i parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Raundi i parë i bisedimeve u zhvillua në kufirin bjellorus që zgjati rreth 5 orë, por nuk solli asnjë ndryshim për situatën në Ukrainë.

21:24 Forcat ruse thonë se kanë vënë nën kontroll Khersonin në jug të Ukrainës

Rusia thotë se forcat e saj morën nën kontroll Khersonin, qytetin e parë më të madh në jug, ndërsa luftimet u ndezën gjithandej Ukrainës dhe vendet perëndimore po shtrëngojnë lakun ekonomik rreth Rusisë.

20:48 Shpërthime të fuqishme në disa qytete të Ukrainës

Sirenat e alarmit janë ndezur këtë mbrëmje në disa qytete të Ukrainës, ndërsa janë dëgjuar shpërthime të fuqishme. Ekipet e CNN në terren kanë raportuar për sirenat e sulmit ajror në Odessa dhe Uman. Edhe në Kiev është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, por ende nuk ka informacione për pasojat që ka shkaktuar.

19:06 Lufta ka krijuar lehtësi në përhapjen e Covid-19 në Ukrainë

Gjendja e shfaqur në Ukrainë për shkak të luftës ka krijuar lehtësi për përhapjen e Covid-19, tha Dr.Mike Ryan, drejtor i Programit të Emergjencave Shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë një konference për shtyp të mërkurën.

18:22 141 vota për paqen! Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton rezolutën që dënon pushtimin rus

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me 141 vota rezolutën e mbështetur edhe nga Shqipëria, e cila dënon pushtimin rus në Ukrainë “në termat më të fortë të mundshëm”.Votimi ishte 141 vende në favor dhe pesë vende ishin kundër tij, me 35 vende të tjera që abstenuan. Serbia ishte një nga vendet që votoi pro rezolutës. Ndërsa rezultatet u vendosën në ekranin e dhomës, ndodhi një ovacion i rrallë në sallë.Rezultati, ndonëse ligjërisht jo detyrues, mbart një peshë politike globale, megjithëse është e dyshimtë nëse do të ndryshojë agresionin ushtarak të Moskës.

Menjëherë pas votimit ambasadorja e SHBA në Tiranë dhe ai i BE Ligi Soreca e quajtën votimin si historik:Më shumë se 2/3 e vendeve anëtare të OKB-së votuan pro rezolutës që denoncon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Shtetet e Bashkuara janë krenare që ishin bashkë-penëmbajtëse me Shqipërinë në këtë rezolutë”.

Ndërsa kryeministri Edi Rama shkruan:141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës!Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah!Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin.

18:15 Shtyhet raundi i dytë i bisedimeve/ Delegacioni rus mbërrin në Bjellorusi, ukrainasit pritet të vijnë orët e para të së enjtes

Delegacioni rus ka mbërritur në Bjellorusi për raundin e dytë të bisedimeve me Ukrainën, ndërkohë që delegacioni ukrainas pritet të mbërrijë në orët e para të së enjtes. Vladimir Medinsky që drejton delegacioni rus thotë se  shërbimet speciale bjelloruse do të kujdesen  për sigurinë në Bjellorusi, ndërsa ushtria ruse ka siguruar një kalim të sigurt për lëvizjen e delegacionit ukrainas. Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia për situatën në Ukrainë do të përfaqësohen nga të njëjtët anëtarë si gjatë raundit të parë, sipas agjencia shtetërore ruse të lajmeve RIA.

17:55 Ambasadorja amerikane në OKB thotë se Rusia ka përdorur armë të ndaluara, por Biden nuk e akuzon Putinin për krime lufte
Ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara që të mbajnë Rusinë përgjegjëse për pushtimin e Ukrainës në komentet në një seancë speciale të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, që ajo vuri në dukje se ishte sesioni i parë i tillë në 40 vjet. Thomas-Greenfield tha se forcat ruse po shkatërrojnë infrastrukturën jetike për popullin ukrainas dhe presidenti rus Vladimir Putin duket i gatshëm të rrisë pushtimin.

17:55 Ministria e Mbrojtjes në Rusi: 498 ushtarë rusë të vdekur

Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi për herë të parë humbjet e ushtrisë së saj në Ukrainë. Sipas Ministrisë, 498 ushtarë rusë u vranë gjatë shtatë ditëve luftime në Ukrainë. Kujtojmë se sipas autoriteteve ukrainase, numri i ushtarëve rus të vdekur gjatë kësaj jave është 5 mijë e 840.

17:46 Kryeministri i Polonisë: Në kufi, po trajtohen të gjithë njësoj

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki mbrojti vendin e tij përmes një deklarate, pas kritikave se rojet në kufi po trajtojnë në mënyrë të pabarabartë ukrainasit që duan të hyjnë në Poloni, për t’i shpëtuar luftës në vendin e tyre.“Polonia u shërben të gjithë njerëzve njësoj! Të gjithë njerëzve që ikin nga lufta kudo në botë dhe refugjatëve nga çdo vend i origjinës”, tha Morawiecki për mediet, nga kufiri i Polonisë me Ukrainën.

17:45 Elon Musk aktivizon internetin satelitor në Ukrainë

SpaceX, kompania hapësinore amerikane e Elon Musk ka dërguar disa pajisje në Ukrainë për t’u lidhur me Starlink, me qëllimin për t’i ofruar akses në internet përmes satelitit. Kompania nuk ka dhënë shumë detaje të tjera, por synon që përmes kësaj linje Ukraina të ketë mundësi të komunikojë nëpërmjet internetit edhe në rastet kur kufizohet shërbimi i tij për shkak të dëmtimit të linjave tradicionale.

17:13 Daçiç del hapur pro-Rusisë, sulmon Kosovën

Atë që u përpoq të mos e artikulonte hapur Aleksandar Vuçiç, e tha kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili konfirmoi qëndrimin e palëkundur të Serbisë në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë. Daçiç përjashtoi çdo mundësi që Beogradi t’i vendosë sanksione Rusisë, vendi që mbështet më shumë Serbinë.

16:07 Në të gjithë Ukrainën priten reshje të dendura bore

Reshje të dendura bore parashikohet të bien në pjesën më të madhe të Ukrainës gjatë dy ditëve në vijim, duke vështirësuar situatën në vend. Aktualisht po bie dëborë e lehtë në disa pjesë të vendit, ndërsa priten reshje të madhe dëbore ditën e nesërme.

15:59 Harris: Gjithçka është në tryezë, SHBA-të vazhdojnë të vlerësojnë sanksionet ndaj Rusisë

Zëvendëspresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris këtë të mërkurë deklaroi se “gjithçka është në tryezë”, ndërsa theksoi më tej se ata janë duke vlerësuar sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për fillimin e një sulmi ndaj Ukrainës dhe vazhdoi të theksojë se SHBA-të nuk do të dërgojnë trupa për të luftuar forcat ruse në Ukrainë.

15:46 Mijëra ukrainas dalin vullnetarë për të luftuar

Mijëra ukrainas kanë dalë vullnetarë për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të luftuar pushtimin e Rusisë, përfshirë punonjës të IT apo ndërtues. Për të qenë më të përgatitur, ata kanë vendosur të marrin pjesë në trajnimin bazë përpara se të nisen për betejë. Qendra e vullnetarëve në Lviv u mbush sot me ushtarë të rinj që ishin regjistruar për t’u bashkuar me njësitë e mbrojtjes territoriale. Disa ishin me uniformë ushtarake, ndërsa të tjerët mbanin rroba civile dhe çanta shpine.

15:41 Kievi i kërkon Papës të bisedojë me Putinin për hapjen e korridoreve humanitare

Ukraina i ka kërkuar Papës të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, për lejimin e korridoreve humanitare për të ndihmuar civilët e prekur nga pushtimi i Moskës, ka thënë zëvendëskryeministri i vendit. “Shpresoj se biseda do të zhvillohet,” u shpreh, Iryna Vereshchuk, në një televizion në Ukrainë.

15:13 Johnson: Veprimet e Putinit do të konsiderohen krime lufte

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha këtë të mërkurë se veprimet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, do të konsiderohen si krime lufte. “Nga regjimi i Vladimir Putin kemi parë përdorimin e municioneve që ata tashmë kanë hedhur mbi civilët e pafajshëm, sipas mendimit tim, tashmë cilësohen plotësisht si një krim lufte,” tha ai në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Johnson tha gjithashtu se Putini e kishte “llogaritur keq” përgjigjen ukrainase.

14:53 SHBA do të shtrëngojë ekonominë ruse për të ndëshkuar Putinin

Sekretarja e shtypit për Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki tha se SHBA do të ndërmarrë levizje të tjera për të ndëshkuar presidentin rus Vladimir Putin. Psaki i tha CNN se SHBA po kërkon të shtrëngojë ekonominë ruse, dhe kjo vihet re edhe nga rënia e rublës ruse. E pyetur nëse SHBA do të ndalojë eksportet ruse të naftës, ajo tha se kjo çështë ende është në tryezë dhe po diskutohet. Ajo përsëriti zotimin e Biden për të mos dërguar trupa amerikane për të luftuar në Ukrainë, por vuri në dukje ndihmën humanitare dhe ekonomike, ndërsa tha se ky është një model tmerri nga Putin dhe miqtë e tij.

14:23 2 mijë civilë ukrainas të vrarë deri më tani

Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë ka njoftuar se të paktën 2.000 civilë ukrainas janë vrarë deri më tani nga pushtimi rus. “Më shumë se 2,000 ukrainas vdiqën, pa llogaritur mbrojtësit tanë. Fëmijët, gratë dhe forcat tona mbrojtëse po humbasin jetën e tyre çdo orë,” tha shërbimi në një deklaratë. Sipas shërbimit, disa infrastruktura transporti, shtëpi, spitale dhe kopshte janë shkatërruar nga forcat ruse gjatë shtatë ditëve të fundit.

14:15 Ukraina: Morali rus po bie me shpejtësi

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë thënë se morali i ushtrisë ruse dhe vullneti për të fituar, po bien me shpejtësi. Sipas forcave ukrainase, morali po bie për shkak të mbrojtjes së qëndrueshme të trupave ukrainase. Ushtria ruse është hasur me sfida si mungesa e logjistikës, e naftës dhe e ushqimit. Deri më tani raportohen të paktën 5,840 humbje jete në radhët e ushtrisë ruse.

14:00 Sot mbahet raundi i dytë i bisedimeve Rusi-Ukrainë

Delegacionet ruse dhe ukrainase do të takohen këtë të mërkurë për të vijuar me raundin e dytë të bisedimeve për paqe në mes të konfliktit. Lajmi është konfirmuar nga një anëtar i stafit të Presidencës ukrainase, i cili tha se delegacionet përbëhen nga të njëjtët përfaqësues që ishin të pranishëm në raundin e parë të bisedimeve, zhvilluar të hënën. “Tani është zyrtare. Raundi i dytë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet sot”, tha ai për CNN. Delegacionet do të përbëhen nga të njëjtët anëtarë që ishin në takimin e parë”, shtoi zyrtari.

13:51 Kryebashkiaku i Kherson: Nuk kemi rënë në duart e Rusisë!

Kryebashkiaku i Kherson, Igor Kolykhayev ka mohuar informacionet se qyteti ka rënë në duart e ushtrisë ruse. Kolykhayev ka bërë me dije se forcat ukrainase janë në front, duke luftuar kundër ushtrisë ruse. “Ne jemi ende Ukrainë. Ende e fortë”, shkroi krybashkiaku në rrjetet sociale.

13:41 OKB: Më shumë se 800 mijë persona janë larguar nga Ukraina

Të paktën 836 mijë persona, sipas UNHCR-së, janë larguar deri më tani nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin e saj. Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, shumë prej tyre, kanë ikur në Poloninë fqinje, e cila ka pritur më shumë se 450 mijë njerëz deri më tani. Numri i përgjithshëm i të larguarve është rritur me shpejtësi që kur Moska filloi sulmin e saj dhe pritet të vazhdojë të rritet me shpejtësi.

13:26 Foto-lajm/ Kur “miku” besnik nuk braktiset në luftë

Një vajzë nga Ukraina është fotografuar teksa mbrërrin në pikën kufitare në Medyka të Polonisë dhe në krahë mban “mikun” e saj besnik. E ndërsa disave iu është dashur të marrin rroba dhe ushqim me vete, momenti i kapur nga Visar Kryeziu, tregon sesi një vajzë nuk e ka lënë vetëm qenin e saj, por ka vendosur ta marrë me vete, pavarësisht gjithçkaje.

13:08: Po dërgonte nipin në spital, rusët qëllojnë për vdekje mjeken ukrainase

Një mjeke ukrainase është qëlluar për vdekje nga ushtria ruse teksa po dërgonte në spital nipin e saj. Lajmin e ka dhënë ministri ukrainas i Shëndetësisë, Viktor Liashko, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, shkroi se terroristët i morën jetën mjekes, teksa ajo po çonte nipin e saj të plagosur në spital nga fshati Kuhari në rajonin e Kievit.

12:45 Kremlini: Ekonomia ruse po merr goditje serioze

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka pranuar se ekonomia ruse po merr goditje serioze nga sanksionet e vendosur nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së. Peskov u pyet për deklaratën e Biden për shtimin e sanksioneve, ku tha se gjithsesi, ekonomia ruse do do te qëndrojë në këmbë. “Ekonomia e Rusisë po përjeton goditje serioze. Ekonomia do të qëndrojë në këmbë ” tha Peskov në një telefonatë me gazetarët.

12:30 Vijojnë sulmet me raketa në Kharkiv, vdesin 4 persona, plagosen 9 të tjerë

Autoritetet thonë se disa zona të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës vijojnë të jenë në shënjestër të sulmeve me raketa dhe bombardimeve. Edhe mëngjesin e sotëm pati sulme të forcave ruse ndërsa zjarrfikëset po përpiqen të shuajnë flakët në godinat e përfshirë nga zjarri. “Si rezultat i goditjes së raketave të armikut, ndërtesat administrative u shembën nga zjarret”, thanë shërbimet rajonale të urgjencës. Të paktën 4 persona janë vrarë dhe 9 të tjerë janë plagosur, ndërkohë që 10 janë shpëtuar nga rrënojat.

12:16 A ekziston vërtet “Fantazma e Kievit” që rrëzoi gjashtë avionë rus? Analiza e fakteve

“Fantazma e Kievit” është kthyer në një figurë popullore në mbarë Ukrainën. Por a ekziston vërtet “Fantazma e Kievit”? DW ka realizuar një kontroll të fakteve.

12:00 Kina: Nuk i miratojmë sanksionet, do vazhdojmë marrëdhënien normalisht

Kina nuk do të bashkohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së për vendosjen e sanksioneve financiare ndaj Rusisë. Kryetari i Komisionit Rregullator të Bankave dhe Sigurimeve të Kinës, Guo Shuqing tha se Pekini i kundërshton sanksionet dhe do të vazhdojë normalisht marrëdhëniet tregare apo financiare me Rusinë. Kina është një blerës i madh i naftës dhe gazit rus dhe e vetmja qeveri e madhe që është përmbajtur të kritikojë sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.

11:45 Papa Françesku bën thirrje për solidarizim: Mos harroni ukrainasit në strehimore

Papa Françesku u kërkoi këtë të mërkurë njerëzve në mbarë botën që të kujtojnë ukrainasit, të cilët ndodhen në strehimoret nëntokësore, për tu mbrojtur nga bombardimet ruse. Daljen e tij këtë të mërkurë në Vatikan, Papa e shpalli ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në Ukrainë. Ai falënderoi të gjithë polakët që hapën dyert e tyre dhe pritën mijëra ukrainas të cilët u larguan nga terrori i luftës.

11:33 Humbjet e forcave ruse nga lufta në Ukrainë: 5840 të vrarë

Ukraina pretendon se ka vrarë 5840 rusë që nga fillimi i pushtimit. Ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar beson se forcat e Moskës kanë pësuar humbje të mëdha. “Sipas informacioneve nga brigada jonë, betejat po vazhdojnë. Qyteti nuk është pushtuar plotësisht, disa pjesë janë nën kontrollin tonë”, tha një zëdhënës i ministrisë. Media shtetërore ruse kishte raportuar më parë se trupat ruse kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit.

11:32 Lavrov: Do ndodhë një Luftë e Tretë Botërore, nëse përdoren armë bërthamore

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov këtë të mërkurë deklaroi se nëse do të ndodhte një Luftë e Tretë Botërore, mesiguri do të përfshiheshin armët bërthamore dhe kjo do të ishte shkatërruese për botën. Lajmi u citua nga agjencia e lajmeve “RIA”. Lavrov ka thënë se Rusia, e cila nisi atë që e quan një operacion special ushtarak kundër Ukrainës javën e kaluar, do të përballej me një “rrezik real” nëse Kievi do të fitonte armë bërthamore.

11:29 Kremlini: Rusia është gati për raund tjetër bisedimesh, nuk e dimë nëse vjen Ukraina

 Kremlini ka njoftuar këtë të mërkurë se zyrtarët rusë janë gati të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh me Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është shprehur se nuk dihet nëse zyrtarët ukrainas do të paraqiten në takim. Sipas Reuters, Peskov ka thënë se Moska duhet të formulojë një përgjigje të ashpër, të menduar dhe të qartë kundër masave të vendosura ndaj vendeve perëndimore për të minuar ekonominë ruse.

11:16 BE miraton sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Diplomatët e Bashkimit Evropian kanë miratuar sanksione të reja kundër Bjellorusisë, pasi ka treguar mbështetje ndaj Rusisë në luftën kundër Ukrainës. Presidenca franceze e BE-së konfirmoi se diplomatët e BE-së kanë miratuar sanksione të reja kundër bjellorusëve dhe goditja do të jetë në ekonomi.

11:04 Presidenca ukrainase: Data e bisedimeve është ende në diskutim

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak deklaroi për “Reuters” se mbajtja e bisedimeve me Rusinë ishte në diskutim dhe se ishte e nevojshme për një “agjendë thelbësore”. I pyetur për datën e një raundi të dytë bisedimesh që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj javën e kaluar, Podolyak tha se për momentin është në diskutim. “Nevojitet një agjendë thelbësore”, theksoi ai sërish.

11:03 Navalny bën thirrje nga burgu: Dilni dhe protestoni kundër luftës

Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny u ka bërë thirrje rusëve të organizojnë protesta kundër luftës në Ukrainë të nxitur nga Putin. Zëdhënësja e tij shkroi në Twitter se Navalny ka bërë thirrje që qytetarët rus të dalin çdo ditë në orën 19:00 dhe në fundjavë në orën 14:00, për të protestuar kundër luftës. Navalny, kundërshtari më i shquar i Presidentit Vladimir Putin, u burgos vitin e kaluar pasi u kthye në Rusi nga Gjermania.

10:54 Rusia heq flamurin e Ukrainës nga ambasada në Moskë

Flamuri ukrainas është hequr nga ambasada e saj në Moskë këtë të mërkurë, pas trazirave të luftës. Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, flamuri u hoq si një shenjë që tregonte se ndërtesa ishte shtëpia e ambasadës ukrainase në Rusi, ndërsa u mbyllën edhe dyert e saj. Qeveria ukrainase ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë më 24 shkurt, pasi Moska urdhëroi një pushtim të vendit.

10:29 Kampioni i botës në boks i bashkohet ushtrisë ukrainase

Pak muaj më parë, kampioni i botës Oleksandr Usyk po përballej me kundërshtarët në ringun e boksit, ndërsa tani është kthyer në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tij. Kur u pyet nga CNN se pse ishte kthyer, ai u përgjigj: “Çfarë do të thotë, pse?” “Është detyra ime të luftoj, të mbroj shtëpinë time, familjen time. Unë duhet ta bëj këtë,” tha ai, duke folur nga një bodrum në Kiev. Ai shtoi se nuk donte të vriste askënd, por do të bënte atë që ishte e nevojshme për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tij.

10:23 Wallace: Rusia po përballet me një sfidë të madhe

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace është shprehur se Rusia po përballet me një “sfidë të madhe” për të hyrë në qytetet kryesore të Ukrainës. Ai thekson se kjo po ndodh për shkak se forcat e armatosura dhe civilët po zmbrapsin forcat armike që afrohen me çdo mjet në dispozicion. Wallace thotë se rrethimi i qendrave të mëdha urbane dhe bombardimi pa dallim ishte pjesë e doktrinës ushtarake ruse, duke synuar demoralizimin e popullsisë për të marrë pas gjithçka tjetër që ka mbetur.

10:17 Zelenskiy: Ushtarët rusë kanë urdhër të na zhdukin të gjithëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha këtë të mërkurë se ushtarët rusë, të cilët janë dërguar nga Putin, kanë marrë urdhër t’i zhdukin të gjithë ukrainasit. Zelenskiy u shpreh i bindur se Rusia nuk do të jetë në gjendje ta marrë vendin e tij me bomba dhe me sulme ajrore, teksa shtoi se ata nuk dinë asgjë për Kievin, e as për historinë e kryeqytetit ukrainas.

10:09 Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës: Kherson nuk ka rënë në duart e rusëve

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka mohuar informacionet se qyteti jugor Kherson ka rënë në duart e rusëve. “Sipas informacioneve nga brigada jonë, betejat po vazhdojnë”, tha një zëdhënës i ministrisë.  Media shtetërore ruse kishte raportuar më parë se trupat ruse kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit.

9:40 Odesa, qyteti gati për betejë/ Gati thasët me rërë, nënat me fëmijët të strehuar në trena

Qendra e qytetit në Odesa është kthyer në një qytet fantazmë, tashmë i kthyer në një qytet betejë. Bombardimet nuk kanë filluar, por qyteti i tretë më i madh i Ukrainës në bregdetin jugor duket se është tashmë nën shënjestrën e bombardimeve, ndërsa qytetarët kanë bërë gati thasët me rërë.

09:00 Sulmohet me raketë godina e policisë në Kharkiv

Një sulm me raketë ka goditur ndërtesën e departamentit rajonal të policisë në Kharkiv. Në pamje duket se si ndërtesa që ndodhej në qendër të qytetit ka marrë flakë dhe është shkatërruar plotësisht. Anton Geraschenko, një këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, thotë se një ndërtesë që i përket Universitetit Kombëtar Karazin përballë rrugës është gjithashtu në flakë pas sulmit. Kharkiv ka qenë një nga qytetet më të sulmuara me raketa gjatë mbrëmjes së djeshme. Të paktën 21 persona u vranë dhe 112 u plagosën në bombardimet e qytetit të dytë më të populluar të Ukrainës, tha kryebashkiaku i qytetit.

08:45 Zelensky zbulon si është jeta e tij në kohë lufte: Punë dhe gjumë!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë një intervistë për mediat e huaja duke treguar se si është jeta e tij pasi prej 7 ditësh, vendi i tij ndodhet në pushtimin e forcave ruse. Nga vendstrehimi në Kiev, Zelensky u shpreh nga vendstrehimi ku po qëndron në Kiev, se dita e tij në këto momente është punë dhe gjumë, ndërsa takimet me familjen janë të rralla.

08:30 Sulmet në Ukrainë, raketa godet maternitetin në Kiev

Forcat ruse kanë goditur edhe maternitetin e Ukrainës. Këtë ka bërë të ditur shefi i departamentit të maternitetit Adonis, Vitaliy Gyrin. “Një raketë goditi maternitetin. Janë bërë shumë dëme, por ndërtesa është në këmbë. Të gjithë janë evakuuar“, ka shkruar Gyrin. Gyrin u kërkoi njerëzve që të mos shkojnë atje: “Më e rëndësishme është të mos vini tani për të marrë askënd nga këtu. Të gjithë janë në një vend të sigurt. Kjo është e sigurt.”

08:00 Biden paralajmëron Putin: Nuk e ke idenë se çfarë po vjen!

Presidenti i SHBA Joe Biden ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin duke paralajmëruar se do të vijojnë të merren masa për të ndëshkuar Ukrainën. “Sonte, unë u them oligarkëve rusë dhe liderëve të korruptuar që kanë harxhuar miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm, duhet të mos vazhdojë më,” tha Biden gjatë fjalimit të tij ndërsa njoftoi një grup të ri pune nën Departamentin e Drejtësisë të SHBA për të hetuar oligarkët rus. “Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe kapur jahtet e tyre, apartamentet e tyre luksoze dhe avionët e tyre privatë,” tha ai. SHBA po mbyll gjithashtu hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, duke iu bashkuar një numri vendesh që morën masa të ngjashme javën e kaluar. Ai më pas paralajmëroi Putinin duke thënë: “Ai nuk e ka idenë se çfarë po vjen”. “Putini ka shkaktuar dhunë dhe kaos. Por ndërsa ai mund të bëjë fitime në fushën e betejës – do të paguajë një çmim të lartë në afat të gjatë,” tha Biden. Por çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit?

Fjalimi i Biden: Presidenti i SHBA Joe Biden dënoi pushtimin rus në Ukrainë në fjalimin e të martën mbrëma, duke thënë se SHBA do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë dhe do të nisë një hetim ndaj oligarkëve rusë. Por përsëriti se SHBA nuk do të vendosë trupa në Ukrainë.

Kievi goditet: Kryeqyteti ukrainas u sulmua me raketa të martën, pasi ushtria ruse paralajmëroi për “sulme ” dhe u tha civilëve aty pranë që të largoheshin. Raketat gjithashtu hoqën pajisjen e transmetimit, duke rritur frikën se Rusia po përpiqet të rrëzojë infrastrukturën e komunikimit.

Qytetet e mbingarkuar: Forcat ruse sulmuan gjithashtu qytete të tjera kyçe, duke goditur qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Ndër të tjera, thuhet se ushtria ruse ka marrë Kherson qendror, një qytet strategjik i rëndësishëm në veri të gadishullit të Krimesë. Krimea është mbajtur nga Rusia që nga aneksimi në 2014.

Numri i jetëve të humbura: OKB-ja tha se të paktën 136 njerëz, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, megjithëse numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë. Ministria e Brendshme e Ukrainës raportoi shifra më të larta të dielën, duke thënë se 352 civilë kishin vdekur dhe 1,684 ishin plagosur që nga pushtimi rus.

Çfarë tha Zelensky: Në një intervistë ekskluzive me CNN dhe Reuters nga një bunker, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Presidentit Biden të jepte një mesazh të fortë në lidhje me pushtimin rus gjatë fjalimit të tij. I pyetur nëse mendon se Ukraina po humbiste kohën duke biseduar me Rusinë, ai tha: “Do të shohim”. Më parë, Zelensky u bëri një lutje udhëheqësve evropianë të martën për t’i dhënë Ukrainës anëtarësimin e menjëhershëm në BE.

FOTO GALERI
1/24

Top Channel