Teksa lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 23-të, nuk ka ende shenja paqeje mes dy vendeve. Që herët në mëngjes, u sulmua qyteti i Lviv, ku mbetën të shkatërruara banesa dhe aeroporti i qytetit. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se gjashtë raketa lundrimi janë lëshuar nga Deti i Zi. Dy prej tyre u shkatërruan nga raketat kundërajrore. presidenti amerikan Biden bisedoi me homologun e tij kinez, ku i kërkoi që të mos i siguronte Rusisë pajisje ushtarake. Një negociator rus tha se bisedimet Moskë-Kiev janë të përqendruara në statusin neutral të Ukrainës.
22:58 Restaurohet linja e prishur e energjisë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia
Centrali bërthamor në Zaporizhzhia, më i madhi i këtij lloji në Evropë është restauruar. Ai u sulmua nga forcat ruse dy javë më parë nga rusët. Tre nga pesë linjat e energjisë elektrike të termocentralit thuhet se u dëmtuan ose u shkëputën. Agjencia e lajmeve Interfax thotë se specialistët ukrainas kanë riparuar një nga linjat e dëmtuara.
22:23 “Rindërtimi i Ukrainës së Lirë”, BE fond solidariteti pas pushtimit rus
Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e krijimit të një fondi solidariteti për Ukrainën për të ndihmuar në ofrimin e shërbimeve bazë në vend dhe për të përmbushur nevojat imediate të qytetarëve, kështu tha të premten presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
21:50 Çfarë ka ndodhur gjatë orëve të fundit në Ukrainë
Sulmet ruse kanë arritur në qendrën e qytetit jugor të Mariupolit, ku shumë civilë janë ende të bllokuar dhe më shumë se 80% e ndërtesave të banimit janë dëmtuar ose shkatërruar.
Presidenti Zelensky tha se vetëm 130 njerëz janë shpëtuar nga bodrumi i teatrit të qytetit, i cili u bombardua të mërkurën. Rreth 1,300 thuhet se janë ende brenda.
Ka raportime për viktima masive pas një sulmi me raketa në një kazermë të ushtrisë ukrainase në qytetin jugor të Mykolaiv.
OKB thotë se të paktën 816 civilë janë vrarë deri më tani.
Vazhdojnë negociatat ruso-ukrainase. Moska pretendon se janë “në gjysmë të rrugës” për statusin neutral të Ukrainës, por Ukraina thotë se pozicioni i tyre mbetet “i pandryshuar”.
Presidenti Zelensky thotë se ka folur me shefen e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe ai pret përparim në aplikimin e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE.
20: 30 Zyrtari amerikan: Rusia ka ngecur
Forcat ruse “mbeten kryesisht të bllokuara në të gjithë Ukrainën, por kanë rreth 90% të “fuqisë së tyre luftarake të mbledhur ende në dispozicion”, thotë një zyrtar i lartë i Mbrojtjes amerikane. Në një deklaratë, zyrtari tha se forcat ruse nuk kanë bërë “përparime të rëndësishme” drejt Kievit në veri apo veriperëndim dhe nuk ka “asnjë lëvizje të forcave ruse” në lindje të kryeqytetit.
19:31 Telefonata Putin-Macron, çfarë i kërkoi presidenti francez
Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu shqetësim për situatën në Mariupol, qytetit më të goditur në Ukrainë, gjatë bisedës më shumë se një orë me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Sipas një deklarate nga Pallati Elysee, Macron kërkoi edhe një herë një armëpushim të menjëhershëm.
19:05 Nis Hetimi i OSBE-së për shkeljet e të drejtave të njeriut në luftën ruse në Ukrainë
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka nisur hetimet për abuzimet me të drejtat e njeriut dhe mizoritë e kryera në luftën e Rusisë në Ukrainë. Misioni i gjetjes së fakteve, i cili vjen pasi 45 vende thirrën një mekanizëm të rrallë të OSBE-së që përdoret për të hetuar abuzimet me të drejtat e njeriut, drejtohet nga tre ekspertë të zgjedhur nga Ukraina.
18:47 Negociatori ukrainas: Rusia po provokon tension
Negociatori i Moskës Vladimir Medinsky tha më herët se të dy palët janë “në gjysmë të rrugës” për të rënë dakord për çështjen e çmilitarizimit të Ukrainës dhe pikëpamjet e tyre janë më të lidhura me neutralitetin e Ukrainës dhe heqjen dorë nga bashkimi me NATO-n. Por negociatori i Kievit Mykhailo Podolyak thotë se Rusia po përpiqet të “provokojë tension në media” dhe se pozicioni i Ukrainës mbetet i pandryshuar.
18:00 Shefi i Mbrojtjes britanike: Rusia nuk arriti të përmbushte objektivat në Ukrainë
Rusia nuk arriti të përmbushë objektivat e saj në Ukrainë, tha shefi i inteligjencës së Mbrojtjes Britanike. Gjenerallejtënant Sir Jim Hockenhull tha se përdorimi i armëve nga forcat ruse do të çonte në mënyrë të pashmangshme në më shumë viktima civile dhe krizë humanitare. Strategjia do të rezultojë në rritje të viktimave civile, një ndërprerje të infrastrukturës ukrainase dhe do të intensifikojë krizën humanitare, sipas tij.
17:29 Gruaja largohet nga Kievi duke mbushur makinën me 20 bulldogë francezë
Kur predhat e artilerisë nisën të binin mbi Ukrainë, Olena Lukash nuk mendonte gjë tjetër përvec sigurisë së “fëmijëve të saj me katër këmbë”. Prandaj dashamirësja e kafshëve ngjeshi të gjithë 20 bulldog-ët e saj francezë dhe u nis me shpejtësi drejt kufirit me Poloninë.
17:23 “Jo” zërit të Moskës! Rregullatori britanik i heq licencën televizionit RT
Rregullatori i medieve në Britaninë e Madhe, Ofcom, njoftoi se ka tërhequr me efekt të menjëhershëm licencën e kanalit televiziv të mbështetur nga Rusia, RT. Në shpjegimin e tij, thuhej se arsyeja e këtij veprimi lidhet me faktin se RT nuk konsiderohet e pershtatshme për të pasur një licencë në Britani.
17:17 Negociatori rus: Bisedimet me Kievin të përqendruara në statusin neutral të Ukrainës
Një negociator rus tha këtë të premte, në ditën e 23 të luftës se bisedimet Kiev-Moskë janë përqendruar në çështjen e neutralitetit të Ukrainës. Ai tha se diskutimet janë në vazhdim, duke përfshirë garancinë e sigurisë nëse Ukraina refuzon të anëtarësohet në NATO. Për çështjen e çmilitarizimit në Ukrainë, negociatori tha se ata janë “në gjysmë të rrugës”.
17:16 Vizë “e përshpejtuar” për ukrainasit, mijëra vetë përfitojnë nga skema britanike
Britania lëshoi 6,500 viza për refugjatët ukrainas, në skemën e re të lidhur me njerëzit që i largohen konfliktit në Ukrainë. Kjo do të thotë 500 viza më shumë nga sa u lëshuan një ditë më pare, thote BBC. 27 mijë aplikime janë paraqitur në total, sipas të dhënave ‘online”. Qeveria britanike ka krijuar po kështu edhe një skemë tjetër, Shtëpi për Ukrainën, për njerëzit që duan të strehojnë refugjatë.
17:09 OKB: 816 civilë të vrarë në luftë deri më tani
OKB tha këtë të premte se të paktën 816 civilë janë vrarë dhe 1,333 janë plagosur në Ukrainë deri më 17 mars. Shumica prej tyre humbën jetën nga bombardimet me armë dhe raketa. Numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë pasi OHCHR nuk ka mundur të mbledhë informacion nga disa prej qyteteve më të goditura, përfshirë edhe Mariupolin.
16:49 Përfundon biseda Biden- Xi
Video-telefonata mes presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij kinez Xi Jinping ka përfunduar, sipas Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan shpresonte të bindte Xi që t’i bashkohej presionit ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Dy liderët folën për një orë e 50 minuta, biseda e tyre e parë që nga nëntori.
16:40 Dhjetëra të vdekur nga sulmet me raketa në Mykolaiv
Sulmet me raketa në Mykolaiv të Ukrainës kanë shkaktuar viktima masive. Sipas BBC, në raport thuhet se të paktën 45 persona kanë vdekur. Korrespondenti io BBC Andrew Harding, në Odesa tha se të paktën dy raketa raportohet se kanë goditur kazermat e ushtrisë në veri të qytetit. Harding tha se kazermat po përdoreshin për të trajnuar ushtarët lokalë në qytetin që ka frenuar një ofensivë të madhe ruse përgjatë bregut të Detit të Zi.
16:00 Zelensky: Bombardimet ruse po pengojnë evakuuimet në Mariupol
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha këtë të premte se bombardimet ruse po i pengojnë autoritetet në qytetin jugor të Mariupolit të krijojnë korridoret humanitare. Ushtria ruse thotë se luftimet kanë arritur në qendër të qytetit, ndërsa mijëra qytetarë mbetën të bllokuar. Në fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit, Zelensky tha se qindra njerëz janë ende të bllokuar nën rrënojat e një teatri atje që u bombardua të enjten.
15:50 Rusia kërcënon Shtetet e Bashkuara: Do t’ju tregojmë vendin, e kemi fuqinë!
Rusia paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se Moska e ka mundësinë të nxjerrë në pah të gjithë fuqinë e saj dhe akuzoi Perëndimin për nxitjen e një komploti të egër për ta copëtuar këtë vend.
16:23 Frikë nga helmimi! Putini pushon nga puna 1.000 pjesëtarë të stafit
Reagimet kundër Rusisë e sidomos kundër liderit të saj, Vladimir Putin janë shtuar në mbarë botën, me tone të forta indinjate ndaj agresionit rus në Ukrainë.
Ato mbërritën kulmin në momentin që presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi Putinin si “kriminel lufte”.
15:41 Televizioni shtetëror rus ndërpret fjalimin e Putinit
Televizioni shtetëror rus ka ndërprerë papritur fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, teksa ai i është drejtuar audiencës në Stadiumin Luzhniki në Moskë. Ende nuk dihet pse ka ndodhur diçka e tillë. Ai e ka mbajtur këtë fjalim për të shënuar përvjetorin e tetë të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë. Aneksimi i Krimesë është dënuar nga Perëndimi dhe Ukraina, prandaj edhe nuk e njohin si territor rus. Fjalimi i Putinit është ndërprerë papritur dhe televizioni ka shfaqur disa këngë që janë kënduar në stadium. Një pjesëmarrës i koncertit ka thënë se Putin e ka përfunduar fjalimin dhe e ka lënë skenën.
12:10 Mbi dy milionë refugjatë kanë hyrë në Poloni
Garda Kufitare e Polonisë ka thënë se numri i refugjatëve që kanë hyrë në këtë shtet nga Ukraina, prej nisjes së pushtimit rus, ka kaluar shifrën dy milionë. Ky numër është më i madh sesa popullsia e kryeqytetit polak, Varshavës. Garda Kufitare ka thënë përmes një postimi në Twitter të premten se numri i refugjatëve që hyjnë në Poloni është duke u zvogëluar çdo ditë. Sipas saj, 52,000 njerëz kanë kaluar kufirin në 24 orët e fundit.
11:54 Scholz bisedon me Putinin dhe i kërkon armëpushim në Ukrainë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të urdhërojë ndaljen e sulmit të Moskës në Ukrainë, dhe të mundësojë zgjidhje diplomatike, duke shmangur edhe katastrofën humanitare. Zyra e Scholzit ka thënë përmes një deklarate se të dy liderët kanë folur në telefon për gati një orë lidhur me “luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për t’i dhënë fund asaj”. Nuk janë dhënë detaje tjera, mirëpo Kremlini ka thënë në një deklaratë tjetër se “pala ruse është e gatshme për të kërkuar zgjidhje, në përputhje me qasjet e saj parimore”.
10:49 Kryebashkiaku i Kievit: Njerëzit më luten për armë, duan të luftojnë
Kryebashkaiaku i Kievit, Vitali Klitschko është shprehur se ukrainasit janë gati të luftojnë për të mbrojtur vendin dhe familjet e tyre. I veshur me antiplumb, para medieve, ku ndodhej edhe Top Channel, Klitschko tha se Putin po bën gabim të madh, prej të cilit po vdesin shumë persona. Teksa i kërkoi Europës të qëndrojë krah Ukrainës, kryebashkiaku tha se Putini është rrezik i madh për të gjithë botën.
09:30 Ukraina: Kemi vrarë 14,200 ushtarë rusë që nga fillimi i luftës
Në ditën e 23 të pushtimit rus, ministria e mbrojtjes e Ukrainës thotë se rreth 14,200 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit. Nga ana tjetër, Rusia ka mbetur e heshtur, pasi përditësimi i fundit i saj ishte më 3 mars, ku pretendoi se 498 nga trupat e saj ishin vrarë në luftime. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë thanë të enjten se numri i viktimave ruse mund të jetë mbi 7,000.
08:45 Bombardohet një lagje në Kiev, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur
Lagja Podil në Kiev ka rënë këtë mëngjes në shenjestrën e sulmeve ruse, ku janë goditur shumë banesa. Gazetari Top Channel, Artur Bibe raporton nga vendi i ngjarjes se nga sulmi ka mbetur i vdekur një person dhe janë plagosur 5 të tjerë. Po ashtu, 95 persona të tjerë janë evakuuar. Dëmi material ka qenë kolosal, pasi janë goditur banesat dhe siç duket nga pamjet, çdo gjë ka mbetur e shkatërruar.
Çfarë ka ndodhur së fundmi në Ukrainë?
Shkatërrohet aeroporti: Rusia ka gjuajtur disa raketa pranë aeroportit ndërkombëtar të Lviv në Ukrainën perëndimore, duke shkatërruar një fabrikë të riparimit të avionëve aty pranë, sipas zyrtarëve lokalë. Lviv është afër kufirit polak dhe ka vepruar si një strehë e sigurt për mijëra refugjatë
Qytete të tjera të bombarduara: Disa qytete të mëdha janë përballur gjithashtu me sulme të reja ajrore. Në qytetin lindor të Kharkiv , një ndërtesë universiteti dhe dy blloqe banesash u bombarduan, duke vrarë një person dhe duke plagosur 11. Më tej, në jug, në Kramatorsk , dy persona u vranë dhe gjashtë u plagosën në një sulm me raketa. Dhe në kryeqytetin Kiev , një person u vra pasi një raketë e rrëzuar shpërtheu në një lagje banimi
Shpëtohen të mbijetuarit e teatrit: Shefi i të drejtave të njeriut në Ukrainë thotë se civilët e parë që ishin strehuar në një teatër të bombarduar në Mariupol kanë dalë nga rrënojat. Deri më tani 130 njerëz janë shpëtuar, thotë ajo, pas sulmit që Ukraina fajëson Rusinë
Dy milionë ukrainas kalojnë në Poloni : Roja kufitare e Polonisë thotë se më shumë se dy milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vend, shumica prej tyre gra dhe fëmijë
Top Channel