Alarm në Gjermani, “plas” malaria e aeroportit, 8 të prekur e dy viktima në Frankfurt

17/09/2026 12:51

Autoritetet shëndetësore në Gjermani janë vënë në alarm pas një shpërthimi të rasteve të malaries në Frankfurt, një sëmundje kjo që në Europën Perëndimore mendohej se kishte mbetur pjesë e së shkuarës.

Që nga korriku, në këtë qytet janë konfirmuar tetë raste të saj, ndërsa dy persona kanë vdekur. Dy infektimet e fundit u identifikuan në Schwanheim, një zonë që ndodhet pranë aeroportit të Frankfurtit.

Autoritetet po hetojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes rasteve dhe aeroportit, pasi disa nga personat e infektuar kanë qenë punonjës të tij. Një nga mundësitë që po shqyrtohet është mbërritja e mushkonjave të infektuara me avionë nga vende ku malaria është e përhapur. Nëse këto mushkonja mbijetojnë dhe pickojnë persona të tjerë, ato mund ta transmetojnë parazitin që shkakton sëmundjen. Ky fenomen njihet si “malaria e aeroportit”.

Malaria është një sëmundje infektive që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në fazat e para, simptomat mund të ngatërrohen me gripin ose me një infeksion të traktit gastrointestinal.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturën e lartë, të dridhurat, dhimbjet e kokës dhe të trupit, si dhe shqetësimet gastrointestinale. Forma më e rëndë, malaria tropica, mund të jetë fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.

Top Channel