Frikë nga helmimi! Putini pushon nga puna 1.000 pjesëtarë të stafit

18/03/2022 16:23

Reagimet kundër Rusisë e sidomos kundër liderit të saj, Vladimir Putin janë shtuar në mbarë botën, me tone të forta indinjate ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Ato mbërritën kulmin në momentin që presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi Putinin si “kriminel lufte”.

Zemërimi me kreun e shtetit rus sa vjen e shtohet. Edhe ai vetë e ka ndjerë këtë, siç e dëshmoi qartë dhe deklarata e fundit në televizionin kombëtar, ku foli për “tradhtarë brenda vendit” , dhe i përshkroi ata si llumin e shoqërisë. Por mediet britanike thonë se Putini po jeton këto kohë me frikën se mos e helmojnë.

Sipas tyre, ai detyron njerëz të tjerë të provojnë ushqimet përpara tij, ndërsa mësohet se ka zëvendësuar këto javë 1.000 pjesëtarë të stafit të tij personal. Vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se Putini, është i frikësuar. Helmimi është konsideruar prej kohësh si një metodë e preferuar eliminimi në Rusi.

Në Mbretërinë e Bashkuar, dy ish agjentë rusë, Sergei Skripal dhe Alexander Litvinenko u helmuan me agjentë toksik nervor e material radioaktiv. Disa kohë më parë, senatori amerikan Lindsey Graham befasoi me apelin e vet të hapur për të hapur qafe Putinin, por thirrja e tij shkaktoi reagime të ashpra.

 

Top Channel