Miratohet me 84 vota ligji i maxhorancës që rrit me 2% rrogat e magjistratëve, Rama debaton me opozitën deri në orët e para të mëngjesit

18/09/2026 01:28

Kuvendi miratoi në orën 01:30 të 18 shtatorit ligjin e maxhorancës për pagat e gjyqtarëve.

Ligji u miratua me 84 vota pro dhe 24 vota kundër, pas një debati që vijoi në Kuvend edhe pas mesnate.

Ndërkohë para votimit u debatua deri në orët e para të mëngjesit.

Debati në Kuvend për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vijuar edhe pas mesnate, ndërsa kryeministri Edi Rama ndërhyri disa herë gjatë diskutimeve.

Kreu i qeverisë tha se do të japë qëndrimin e tij për çështjen pasi të dëgjojë të gjithë deputetët që po marrin fjalën në seancë.

“Për sa i përket pastaj çështjes në fjalë, unë do të flas, patjetër që do të flas dhe do të flas kur të dëshiroj unë, jo kur vendosni ju. Por do të flas, këtu jam për të folur. Por po dëgjoj një herë të gjitha mendjet e ndritura të mendimit juridik të Parlamentit, pastaj do të them dhe unë ato që mendoj si një piktor i rëndomtë”, tha Rama.

Gjatë debatit, kryeministri u përfshi edhe në replika për çështjen e arbitrazhit, duke sqaruar deklaratën e tij të mëparshme se subjekti që fitoi çështjen do të marrë “zero lek” nga shteti shqiptar: “Meqë më doli emri për një saktësim, juve thatë që unë paskam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, kam thënë që ai subjekti që e fitoi atë çështje do marri zero lek nga shteti shqiptar”, deklaroi Rama.

Ai vijoi duke thënë: “Dhe pavarësisht se partia juaj u angazhua fuqimisht që t’u thoshte shqiptarëve se ai në ndërkohë mori 100 milionë euro, unë dua t’ju informoj që, jo vetëm deri në momentin që ne po flasim, ai ka marrë zero lek nga shteti shqiptar, por ndërkohë, si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë padrejtësisht pastaj për një arsye ose një tjetër nuk i shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti në fjalë, së bashku me një apo dy arbitrit përkatës do të përballen me drejtësinë.”

Sipas Ramës, paratë e mbajtura të ngrira do të kthehen në arkën e shtetit shqiptar.

Të jesh i sigurt që më herët sesa vonë, të gjitha lekët, që të gjitha ato që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol-it, do kthehen në arkën e shtetit shqiptar”, tha ai.

Kryeministri përsëriti se nuk kishte deklaruar se nuk njihte vendimin e arbitrazhit.

“Unë nuk kam thënë, nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, unë kam thënë që koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe lloj-lloj legenësh mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin ka ikur dhe ai do marri zero lek nga shteti shqiptar. Këtë kam thënë unë!”

“Zero lek do marri nga shteti shqiptar dhe natyrisht jo me forcë, por nëpërmjet rrugës ligjore. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë”, shtoi Rama.

Ai deklaroi se për subjektin në fjalë ka procese administrative dhe civile, si dhe një proces penal jashtë Shqipërisë : “Për subjektin në fjalë, ka jo vetëm procese administrative civile, por dhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Edhe në Republikën e Shqipërisë SPAK ka hapur procesin”, tha Rama.

Rama tha se vendimi nuk është ekzekutuar dhe se qeveria e ka kontestuar atë.

E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, i dashur jurist i panjohur. Sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti, jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka parë të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është subjekt i të drejtës penale, qoftë këtu, qoftë dhe jashtë.”

Për fondet e Albcontrol-it, Rama deklaroi: “Paratë e bllokuara të Albcontrol janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Dhe në ndërkohë, po ju përsëris që vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje.”

Në ndërhyrjen e tij të tretë, Rama këmbënguli sërish se paratë nuk janë marrë.

“Ndërkohë që unë jam këtu prezent me zërin tim, unë thashë që ai ka marrë dhe ka për të marrë zero lek, nuk thashë, sepse nuk ka ndodhur, se po të ndodhte kjo, do të ishte në librat e llogarive të shtetit shqiptar, që ai ka marrë dhe do t’ia marrim mbrapsht. Unë thashë që ai ka marrë zero lek.”

Sipas kryeministrit, fondi vijon të jetë i ngrirë deri në përfundimin e procesit.

“Fondi është një fond i ngrirë deri në fund të procesit, pikërisht sepse ndryshe nga çfarë mendoi ai, që u kthye në heroi i këtyre këtu, që nuk lënë plehrë pa e kthyer në hero për të sulmuar me çdo kush dhe me çdo kusht dhe me çmimin e përbaltjes së Shqipërisë, palën tonë, ndërkohë që sot, pikërisht çështja e arbitrazhit nuk u mbyll ashtu sikundër ëndërronte ai subjekt, ne jemi në disa procese dhe zero lek janë marrë, zero lek do të merren.”

“Kjo është e vërteta”, përfundoi Rama në këtë pjesë të replikave, ndërsa debati në Kuvend për çështjen e pagave të magjistratëve vijoi edhe pas mesnate.

Top Channel