Qeveria në Greqi premton ulje të çmimit të naftës, Mitsotakis: Mbështetje nga shteti dhe rafineritë

17/09/2026 22:45

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë në kanalin televiziv ERT paralajmëroi ndërhyrje për çmimin e naftës së ngrohjes, e cila do të dalë në treg më 15 tetor.

Objektivi i qeverisë është që çmimi fillestar të jetë nën 1,75 euro për litër, nga 2 euro që është tani , ndërsa pritet edhe rritje horizontale e ndihmës për ngrohjen.

Masat e hollësishme do të shpallen në fillim të javës së ardhshme. Mitsotakis la të hapur mundësinë e kufizimit të marzhit të fitimit në treg dhe, nëse do të jetë e nevojshme, të një uljeje të përkohshme të akcizës.

Ai tha se do të ketë mbështetje nga shteti dhe rafineritë, ndërsa ndërhyrja mund të shtrihet edhe te nafta për automjetet gjatë tetorit.

Çmimet e karburanteve në Greqi mbeten të larta. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, për 16 shtatorin, benzina pa plumb kushtonte mesatarisht 2,173 euro për litër, ndërsa nafta për automjetet 2,150 euro për litër. Nafta e ngrohjes të cilën përdorin mbi 2 milion familje , ose 47% e popullsisë, nuk shitet ende në treg, pasi sezoni nis në mes të tetorit, por deri tani përllogaritet se do jetë me 2 euro litri.

Në planin ekonomik, kryeministri tha se masat e shpallura në Panairin e Selanikut janë të llogaritura në buxhet dhe se Greqia nuk rrezikon një krizë të re borxhi, pavarësisht pasigurisë ndërkombëtare.

Për situatën politike, Mitsotakis kërkoi stabilitet pas zgjedhjeve dhe përsëriti se synimi i tij është një qeveri e vetme e Demokracisë së Re.Sa i përket marrëdhënieve të acaruara me Turqinë, ai tha se retorika nga Ankaraja është ashpërsuar, por Athina nuk do të hyjë në një përplasje deklaratash. Nuk është caktuar takim me presidentin Erdogan në Nju Jork, ka deklaruar ai , megjithatë ka shtuar se një takim dypalësh nuk përjashtohet.

Top Channel