Deputetja e PDK tregon në Top Story prapaskenat e largimit të spiunëve nga Kosova, Musliu: Në 2015-ën u mbushën autobusët, gënjyen edhe për… Ulsi Manja deklaroi mbrëmjen e sotme në Kuvend se varianti përfundimtar i ndryshimeve për pagat e magjistratëve është i ndryshëm nga nisma fillestare, pasi janë hequr shtesat e propozuara për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se projektligji që i është paraqitur Kuvendit për votim synon të adresojë vendimin nr. 15 të vitit 2026 të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht formulën e pagës referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe efektet financiare që rrjedhin prej saj.
Sipas Manjës, vendimi i Kushtetueses nuk ka kërkuar që të miratohen disa prej përfitimeve që ishin përfshirë në variantin fillestar të nismës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë të adresohet shtesa për vështirësi pune në masën 80% të pagës bruto fillestare për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm, as shtesa për funksion 5% të pagës bruto fillestare për Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, as shtesa për vështirësi në masën 2% të pagës referuese për çdo vit përvojë pune”, deklaroi Manja.
Ai theksoi se varianti i miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe që kaloi për votim në seancë adreson pagën referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e lidhur atë me pagën e Presidentit të Republikës, si dhe efektet financiare të ndryshimit nga 1 prilli 2023 deri në hyrjen në fuqi të ligjit.
Manja iu përgjigj edhe akuzave për mënyrën se si u ndryshua nisma fillestare. Sipas tij, amendamentet që hoqën shtesat e parashikuara për Gjykatën e Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm janë depozituar me shkrim nga deputeti Ermal Paçaj dhe janë votuar në Komisionin e Ligjeve në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“S’ka asnjë shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit dhe s’ka tre drafte, hiq një, fut një, siç u tha këtu”, deklaroi ai.
Kreu i Komisionit të Ligjeve u ndal edhe te debati se kush e kishte kompetencën për të vepruar pasi Kuvendi nuk e adresoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese brenda afatit të 31 korrikut 2026.
Manja tha se përfundimi i këtij afati nuk ia heq Kuvendit kompetencën për të përcaktuar me ligj formulën e pagave. Ai iu referua paragrafit 109 të vendimit të Kushtetueses, duke argumentuar se Kuvendi ruan kompetencën dhe diskrecionin për formulën e re të pagave të magjistratëve.
“Gjeni një paragraf ku thuhet që pas 31 korrikut 2026 kompetencat e ligjvënësit pozitiv i merr një pushtet tjetër, i merr KLGJ-ja, KLP-ja apo i merr gjykata me vendime. S’e thotë”, deklaroi Manja.
Sipas tij, asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë atributet e ligjvënësit, ndërsa çdo efekt mbi Buxhetin e Shtetit kërkon autorizim ligjor nga Kuvendi.
“Me votën sot ne adresojmë tri problematika: pagën referuese te Presidenti, që nuk e ndryshojmë, por ndryshojmë koeficientin nga 0.36 në 0.38, me efekte financiare nga 1 prilli 2023 dhe ligji hyn në fuqi menjëherë”, tha ai.
Manja parashikoi gjithashtu se çështja mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese, por tha se debati për pagat në drejtësi nuk mbyllet me këtë projektligj.
Sipas tij, në kuadër të një analize 10-vjeçare të reformës në drejtësi duhet të rishikohet e gjithë “piramida” e pagave në sistem.
“Do të jem për një arkitekturë piramidale të pagave të drejtësisë, me bazë gjykatat e shkallës së parë, Apelin dhe Gjykatën e Lartë, duke përjashtuar SPAK-un për ato arsye që janë të shkruara në ligj”, deklaroi Manja.
Ai shtoi se diferenca mes pagave të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe atyre të Gjykatës së Lartë duhet të mbahet brenda disa kufijve, duke marrë në konsideratë standardet e vendeve të rajonit dhe ato europiane.
“Pasi ta votojmë këtë ligj sonte, që të plotësojmë një boshllëk ligjor, bujrum qeveri, Kuvend, sistem, të ulemi! Pse jo, të kërkojmë edhe ndihmën e partnerëve europianë që të shohim si janë standardet”, përfundoi Manja.
Top Channel